Sfida e shëndetit mendor mes nevojës së madhe dhe mbështetjes së vogël

Sfida e shëndetit mendor mes nevojës së madhe dhe mbështetjes së vogël

Të dhënat për nëntëmujorin e parë të vitit 2025 tregojnë një situatë shqetësuese në fushën e shëndetit mendor në Kosovë, duke rikthyer në vëmendje mungesën e politikave dhe mekanizmave institucional për parandalimin e vetëvrasjeve. Sipas Policisë së Kosovës, 13 persona kanë kryer vetëvrasje në Kosovë, një dukuri e cila ndodh nga faktorë të ndryshëm, ekonomik, social, psikologjik, çrregullimeve mendore, probleme, mungesë vetëbesime e tjera.

Ndërkohë Qendra për parandalimin e vetëvrasjes “Linja e Jetës” për nëntë muajt e parë të vitit që lamë pas, ka pasur 800 thirrje të personave me mendime suicidale, 3-4 mijë chats dhe 160 thirrje të humbura.

Institucionet shëndetësore raportojnë se çdo ditë trajtohen persona me çrregullime të ndryshme psikike, përfshirë edhe raste me ide vetëlënduese, derisa profesionistët e shëndetit mendor, theksojnë nevojën për kujdes të shtuar në trajtim dhe në raportimin publik të këtyre rasteve. Sipas tyre, mënyra e raportimit mediatik mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri, veçanërisht te personat në gjendje të brishtë emocionale.

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Faton Kutllovci, ka thënë për KosovaPress, se në këtë klinikë trajtohen çdo ditë persona me çrregullime psikike, përfshirë edhe raste me ide suicidale. Sipas tij, trajtimi bëhet me kujdes të veçantë dhe në bazë të vlerësimit profesional për secilin rast.

Kutllovci ka apeluar që mediat të raportojnë me përgjegjësi për këto raste, duke paralajmëruar se raportimi i detajuar mund të ketë ndikim negativ në shoqëri.

Përveç raportimit joetik në media, Kutllovci ka thënë se janë edhe dy efekte tjera negative, stigma, fjalët se nëse viziton psikiatrin je person me të meta të mëdha psikike dhe ndikimi i farmacistëve, të cilët u thonë se terapia që marrin është e rëndë dhe personi me mendim suicidal ndërprenë terapinë.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se ligji aktual për shëndetin mendor ka mangësi dhe se një draft i ri i projektligjit tashmë ndodhet në fazën e konsultimeve publike.

Ndërkohë, drejtori i organizatës “Linja e Jetës”, Bind Skeja, ka deklaruar se kjo organizatë po përballet me vështirësi financiare dhe mungesë të stafit, çka ka detyruar shkurtimin e orarit të shërbimit. Prej orë 14:00 deri në 2:00 siç ka qenë orari, është detyruar të shkurtohet prej 18:00 deri në 22:00, shkak i këtij orari sipas tij, është që në këtë kohë ka më së shumti thirrje, me tre mbikëqyrës, pesë operatorë dhe 20 operatorë vullnetarë.

Ai ka bërë të ditur se gjatë muajve të fundit janë pranuar qindra thirrje për ndihmë, ndërsa mijëra komunikime janë realizuar përmes platformave digjitale.

Skeja ka theksuar se Kosova ende nuk ka një ligj apo strategji specifike për parandalimin e vetëvrasjes dhe se mungon bashkëpunimi formal me institucionet qendrore, pavarësisht trajnimeve që kjo organizatë u ofron institucioneve të sigurisë.

Nga ana tjetër, psikologu Kristian Halilaj ka shpjeguar se gjendjet e gjata depresive, humbja e motivimit dhe mendimet destruktive janë faktorë kyç që e çojnë një individ drejt krizave të rënda psikologjike. Ai ka theksuar se trajtimi profesional dhe mbështetja psikologjike janë të domosdoshme, pasi ndihma familjare shpesh nuk mjafton për të përballuar këto gjendje.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2025, 13 persona kanë kryer vetëvrasje, ndërkohë në 2024 19 persona e 2023 42 persona kanë kryer një akt të tillë.

Nëse keni mendime suicidale apo ndjeheni në një gjendje depresive vizitoni psikologun apo thirrni në Linjën e Jetës  pa pagesë në 0800 12345 ose shkruaj në chat si person anonim.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë