Fejzullahu: Konsumi i energjisë i është afruar Shqipërisë, e cila ka dyfish më shumë banorë

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymer Fejzullahu, ka bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike. Ai tha se konsumi në periudhën e pikut ka arritur në 1500 megavat për orë, ndërkaq prodhimi i Kosovës është 900 megavat. Fejzullahu theksoi se kjo diferencë duhet të importohet dhe, përveç kësaj, shtoi se po dalin probleme sa i përket kapaciteteve transmetuese dhe shpërndarëse.
Ai në konferencë për media pas mbledhjes së bordit të ZRrE-së tha se gjatë periudhës së dimrit një numër i madh i konsumatorëve po e dyfishojnë konsumin e energjisë elektrike, raporton KosovaPress.
Sipas tij, konsumatorët në zonat rurale dhe në shtëpi duhet të gjejnë zgjidhje alternative për ngrohje dhe jo energjinë elektrike.
“Bëjmë thirrje që edhe te konsumatorët e energjisë elektrike të bëjnë kursime dhe ato kursime do të reflektohen në tarifat e ardhshme të energjisë elektrike. Pra, iu bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve, sidomos të energjisë elektrike, që të paktën për muajin dhjetor dhe janar të kursejnë energji elektrike. Mos të shfrytëzohet energjia elektrike për ngrohjen e sipërfaqeve, pasi në shumicën e rasteve është e papërballueshme për sistemin tonë. Piku ka arritur mbi 1500 megavat, ku prodhimi maksimal është rreth 900 megavat. Kjo diferencë duhet të importohet dhe, përveç që jemi të detyruar të importojmë këtë diferencë, në të njëjtën kohë kemi edhe probleme të mëdha sa i përket kapaciteteve transmetuese dhe shpërndarëse. Në sezonin e dimrit një numër i madh i konsumatorëve e dyfishojnë konsumin e energjisë elektrike”, tha ai.
Ai theksoi se konsumimi në periudhën e pikut në Kosovë i është afruar Shqipërisë, e cila ka dyfish më shumë banorë dhe biznese sesa Kosova.
“Konsumi i pikut në Kosovë i është ofruar pikut maksimal të Shqipërisë, që është 1 mijë e 600 megavat, ose 1.2 që është Maqedonia. Megjithëse si popullsi Shqipëria është dyfishi i Kosovës, ne iu kemi përafruar konsumit të energjisë elektrike në këto ditë”, përfundoi Fejzullahu.
