Probleme me energji elektrike në gjashtë komuna, e konfirmon KQZ-ja

Probleme me energji elektrike në gjashtë komuna, e konfirmon KQZ-ja

Procesi i votimit në zgjedhjet e sotme të parakohshme është duke vijuar normalisht, tha kryetari i KQZ-së, Kresnik Radoniqi.

Megjithatë, ai tha se në gjashtë komuna, Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan, janë evidentuar probleme me energji elektrike, por që më pas janë zgjidhur. Për këtë problem, Radoniqi tha se janë në komunikim me KEDS-in, mirëpo nuk e përjashtoi mundësinë që sërish të ketë probleme me energji elektrike.

“Duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga komisionet komunale të zgjedhjeve, procesi i votimit nga të gjitha komunat e vendit është duke vijuar normalisht deri në këtë fazë. Nuk është raportuar asnjë problem apo parregullsi që do të ndikonte në mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor”, tha ai në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

Ai tha se me qëllim të garantimit të mbarëvajtjes së ditës së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka funksionalizuar Dhomën Operative, e cila përbëhet nga zyrtarë të KQZ-së, si dhe përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës.

“Sipas raportit të orës 11:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar probleme të energjisë elektrike në gjashtë qendra të votimit, që i takojnë komunave Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan. Komisionet komunale kanë njoftuar KEDS-in. Po ashtu kemi pranuar njoftimin nga Komuna e Rahovecit, ku në një qendër të votimit është vërejtur se fletëvotimet kanë shenja të dukshme në numra. Çështjet me energji, pasi janë raportuar, janë zgjidhur. A presim që të kemi prapë probleme me energji, është e mundshme. E kemi alarmuar këtë çështje ditë më parë, por zyrtarët e KEDS-it janë në terren dhe në komunikim të vazhdueshëm me KQZ-në. Për çdo mungesë të energjisë janë në detyrë dhe do të reagojnë”, shtoi Radoniqi.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë