Takohet Departamenti i Licencimit të klubeve për garat e UEFA-s

Departamenti i Licencimit të Klubeve për garat e UEFA-s ka mbajtur mbledhjen e rregullt të punës, ku u analizua procesi i fundit i licencimit dhe u diskutuan sfidat dhe pritshmëritë për fazën e ardhshme. Në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi me departamentet e tjera të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili ka ndihmuar në përmbushjen e detyrave dhe kompetencave të këtij departamenti.
Menaxheri i Departamentit të Licencimit, Bajram Shala, njoftoi për ndryshimet në strukturën administrative dhe për përbërjen e re të ekspertëve dhe komisioneve. Erika Krasniqi është emëruar zëvendësmenaxhere e Licencimit, ndërsa ekspertë të kritereve janë caktuar Agron Shosholli për personelin dhe administratën, Besim Ademi për kriterin sportiv, Haris Abdixhiku për infrastrukturën dhe Fis Murati për kriterin ligjor. Po ashtu, juristi Bashkim Preteni i është bashkuar Komisionit të Shkallës së Parë, ndërsa Labinot Murati Komisionit të Shkallës së Dytë.
Kryetarët e dy komisioneve, Naim Havolli dhe Rexhep Kuçi, vlerësuan përmirësimin e vazhdueshëm të klubeve, duke theksuar se procesi i licencimit duhet trajtuar me edhe më shumë seriozitet. Sipas tyre, licencimi është një udhërrëfyes i rëndësishëm për organizim profesional të klubeve dhe një faktor kyç për zhvillimin e mëtejmë të futbollit kosovar.
