Goditje për Interin, Dumfries mungon deri në pranverë

Interi ka konfirmuar zyrtarisht se Denzel Dumfries i është nënshtruar një operacioni në kyçin e këmbës së majtë dhe do të mungojë për dy deri në tre muaj. Në deklaratën e klubit thuhet se lojtari “iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për të stabilizuar kyçin e këmbës së majtë” në Klinikën Fortius në Londër dhe se tani do të ndjekë një program rehabilitimi.
Mbrojtësi holandez kishte prej kohësh probleme me kyçin e këmbës, të cilat nuk po shëroheshin sipas pritjeve, ndaj u vendos për operacion. Sipas mediave italiane, Dumfries nuk pritet të rikthehet në fushë para shkurtit ose marsit 2026, çka e lë Interin pa një nga lojtarët kyç në krahun e djathtë për një periudhë të rëndësishme të sezonit.
Mungesa e tij mund ta shtyjë Interin të kërkojë përforcime në afatin e janarit, ndërsa situata hap edhe pikëpyetje për të ardhmen e Dumfries, i cili ka një klauzolë lirimi prej rreth 25 milionë eurosh, të vlefshme vetëm për një periudhë të shkurtër gjatë verës.
