ZRRE licencon kompani të reja në tregun e hapur të energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka miratuar aplikimet për licencim të aktivitetit të furnizimit me energji elektrike për kompanitë “Swiss Solar Park” dhe “Solar Neo”, ndërsa i dha “dritë jeshile” për tregti me energji elektrike kompanisë “Alfa Company”.
Licencimi i këtyre kompanive për furnizim dhe tregti me energji elektrike u tha se po bëhet për shkak të liberalizimit të tregut të energjisë, raporton KosovaPress.
ZRrE në mbledhjen e sotme vendosi për rihapje të procedurës së tenderimit për zgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit (FMF).
Përfaqësuesi ligjor i Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymridin Misni, tha se aplikimet për licencim të furnizimit me energji elektrike dhe tregti me energji janë në përputhje me ligjet në fuqi.
Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tha se për shkak të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, ka një numër të madh të kërkesave për licencim dhe furnizim, por edhe për tregti me energji elektrike.
ZRrE miratoi dhjetëra kërkesa të personave fizikë dhe juridikë për marrje të autorizimit për të prodhuar energji elektrike për vetëkonsum.
Po ashtu, u shqyrtua bilanci vjetor i energjisë elektrike për vitin 2025, por të njëjtit nuk dhanë shifra dhe shuma konkrete, raporton KosovaPress.
Ndërsa pika për shqyrtimin e planit investiv njëvjeçar të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) u shty për mbledhjen e radhës, për shkak të vërejtjeve të adresuara.
Artikulli i plotë në sistemin me parapagim.
