Policia tregon sa vozitës u ndëshkuan në tetor për përdorim telefoni në timon

Policia tregon sa vozitës u ndëshkuan në tetor për përdorim telefoni në timon

Pas përfundimit të fushatës sensibilizuese që filloi më 06.10.2025, me moton: “Një sekond në telefon mund të bëhet shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon.”, Policia Rajonale e Ferizajt ka zbatuar masa represive ndaj të gjithë shoferëve që janë kapur duke përdorur telefonin gjatë ngasjes së automjetit.

Sipas njoftimit, si rezultat i veprimeve policore, gjatë muajit tetor 2025 janë shqiptuar gjithsej 329 gjoba ndaj shoferëve që kanë shkelur këtë rregull, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

“Gjatë periudhës sensibilizuese janë zhvilluar ligjërata në shkolla, takime me qytetarë, si dhe janë shpërndarë fletëpalosje informuese me mesazhe vetëdijesuese për rreziqet që sjell përdorimi i telefonit gjatë ngasjes. Qëllimi i këtyre aktiviteteve ka qenë rritja e ndërgjegjësimit dhe parandalimi i aksidenteve në trafik”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, [ërdorimi i telefonit gjatë ngasjes mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore. Prandaj, Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të përqendrohen plotësisht në drejtimin e automjetit dhe të shmangin çdo shpërqendrim, pasi edhe një sekond pakujdesie mund të ketë pasoja fatale.

Më tej thuhet se kontrollet dhe masat ndëshkuese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt, me qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Policia Rajonale e Ferizajt fton qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo shkelje në trafik përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë