“700 punëtorë pa paga”, sindikalistët e RTK-së i drejtohen me një letër publike Kurtit

“700 punëtorë pa paga”, sindikalistët e RTK-së i drejtohen me një letër publike Kurtit

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i është drejtuar sot me një letër publike kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar ndërhyrjen e tij urgjente për zgjidhjen e krizës financiare dhe institucionale që ka përfshirë transmetuesin publik të vendit.

Në letrën e nënshkruar nga kryetari i sindikatës, Gëzim Bimbashi, theksohet se mbi 700 punëtorë të RTK-së kanë mbetur pa paga, duke e cilësuar situatën si të padurueshme për punëtorët dhe familjet e tyre.

“Kjo situatë rrezikon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve, por edhe funksionimin normal të shërbimit publik të informimit në vend,” thuhet në letrën e sindikatës.

SPERTK kërkon nga Kryeministri në detyrë që të ndërmarrë veprime konkrete për alokimin e buxhetit të RTK-së dhe zhbllokimin e situatës aktuale, e cila, sipas tyre, është rezultat i mungesës së një Bordi funksional dhe vakancës në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm.

“Institucioni është pa Bord funksional, drejtimi po mbahet me ushtrues detyre, gjë që nuk është në përputhje me ligjin për RTK-në,” thuhet në letrën publike.

Sindikalistët kërkojnë gjithashtu që, përmes deputetëve dhe institucioneve përkatëse, Qeveria të mundësojë rritjen e buxhetit për pagat në RTK, ashtu siç po ndodh në sektorë të tjerë publikë.

Në fund të letrës, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së e cilëson këtë kërkesë “jo vetëm sindikale, por njerëzore dhe institucionale”, duke apeluar për ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur, siç thuhet, “kolapsin e një institucioni që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës.”

Dje, punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë protestuar para objektit të transmetuesit publik.

Sindikata e punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK), ka paralajmëruar se nëse nuk do të ekzekutohen pagat, ai ajo e tetorit, brenda një kohe të shkurtër, për punëtorët e RTK-së, atëherë do të hynë në greva të përgjithshme e edhe protesta që mund të përshkallëzohen.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë