Shiu i rrëmbyeshëm, aeroporti i Barcelonës anulon dhjetëra fluturime

Shiu i rrëmbyeshëm detyroi anulimin e të paktën 47 fluturimeve dhe vonoi dhjetëra të tjera në Aeroportin El Prat të Barcelonës të enjten në mëngjes, sipas operatorit spanjoll të aeroportit Aena.
Zona bregdetare e provincës së Barcelonës, përfshirë kryeqytetin, mbeti në alarm portokalli për reshje të dendura shiu dhe erëra të forta deri në mes të pasdites, me Aena që këshilloi udhëtarët vendas dhe ndërkombëtarë të kontrollonin statusin e fluturimit të tyre para se të shkonin në aeroport, raporton KosovaPress.
Reshjet e rrëmbyeshme dhe erërat e forta kanë ndërprerë gjithashtu trafikun rrugor, duke përmbytur rrugët dhe nënkalimet, duke rrëzuar pemët dhe duke shkaktuar mbingarkesë të konsiderueshme në të gjithë zonën metropolitane.
Presidenti katalanas Salvador Illa u bëri thirrje banorëve të ushtrojnë “kujdes maksimal”.
“Ndiqni udhëzimet e shërbimeve të emergjencës, shmangni udhëtimet e panevojshme dhe mos u afroni lumenjve, përrenjve ose grykave”, shkroi ai në mediat sociale.
Brigada e zjarrfikësve të Barcelonës tha se iu ishte përgjigjur gati 40 thirrjeve emergjente të lidhura me shirat, ndërsa shërbimi rajonal i zjarrfikësve katalanas raportoi rreth 300 incidente në të gjithë provincën.
Sistemi i stuhive po lëviz në veri drejt Gironas dhe pritet të ndikojë gjithashtu në Ishujt Balearik.
Stuhia vjen pothuajse një vit pas përmbytjeve shkatërruese në Valencia, të cilat lanë të vdekur rreth 237 persona.
