Kinemaja në Los Anxhelos ofron biletë falas për “Bugonia” për ata që pranojnë të rruajnë kokën

Në nder të personazhit të Emma Stone në filmin e ri të Yorgos Lanthimos, e cila i ka flokët të rruara nga teoricienë konspiracioni, një kinema në Los Anxhelos do të ketë një berber në hollin e saj dhe do të shpërndajë bileta falas për ata që janë tullacë ose pranojnë të rruhen aty.
Filmi ndjek një drejtoreshë farmaceutike (Stone) të rrëmbyer nga teoricienë që besojnë se ajo është një alien. “A jeni tullac apo gati për ta rruar kokën?” thuhet në njoftimin e eventit. “Të hënën, më 20 tetor, ejani në Teatrin Culver për një shfaqje falas të Bugonia”.
Kushdo që dëshiron biletë dhe qethje falas mund të vijë pas orës 18:00, kur një berber do të jetë në dispozicion. Organizatorët thonë se “kjo është e vërtetë” dhe se pjesë e ngjarjes do të filmohet. Pjesëmarrësit duhet të jenë mbi 18 vjeç dhe të rezervojnë paraprakisht.
Bugonia, bashkëpunimi i katërt mes Lanthimos dhe Stone pas The Favourite, Poor Things dhe Kinds of Kindness, ka marrë vlerësime të mira në festivale. Stone ka thënë për Vogue se rruajtja e kokës ishte “ndjesia më e mirë në botë”.
Ajo e ka krahasuar përvojën e saj me nënën, që humbi flokët gjatë trajtimit për kancer në vitin 2008: “Ajo bëri diçka të guximshme; unë thjesht po rruaj kokën”.
Sipas The Guardian, Bugonia do të shfaqet në SHBA më 24 tetor në kinema të përzgjedhura dhe më 31 tetor në shfaqje të gjerë; në Australi më 30 tetor dhe në Mbretërinë e Bashkuar më 31 tetor.
