Petrovci, ikona e teatrit shqiptar u përcoll me nderime dhe duartrokitje

Aktori dhe profesori i njohur, Enver Petrovci është përcjellur me duartrokitje e vlerësime të larta për jetën dhe veprën e tij nga amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës drejtë varrezave të qytetit.
Në mbledhjen komemorative për Petrovcin, të pranishëm ishin familjarë, qytetarë, figura publike e artistë të vendit, ku edhe falënderuan Petrovcin për shfaqjet që ai ka dhuruar.
Me lot në sy, vajza e tij, Vanesa Petrovci falënderoi babain e saj për mësimet e këshillat që ia ka dhënë asaj për jetën.
Petrovci tregoi edhe momentet e fundit të aktorit.
“Këtë fjalim e pata shumë të vështirë me e shkruar se për babin nuk kanë fund fjalët e mira që kam për të. Kur jam në skenë jam mësuar gjithmonë me qenë në publikë dhe kam kërkuar sytë e tij për me më përkrah. Sot jam prapë në skenë por nuk po e gjej në mesin e publikut.. I ka dashur njerëzit pa kushte dhe i ka besuar e nuk ka besuar në të keqën e askujt, një njeri me zemër të mirë e të pastër… Tash e disa vjet me këtë sëmundje tepër të rëndë, ai ka kalua njësoj me humor edhe kur kishte dhimbje të hatashme, me humor edhe ndërroi jetë. Në momentet e fundit ka kënduar, ka folur dhe buzëqeshur dhe na ka lehtësuar edhe neve dhimbjen”, tha Petrovci.
I pranishëm ishte edhe ministri në detyrë i kulturës, Hajrulla Çeku.
Çeku u shpreh se mësimet që dha ai, do të mbesin ndër breza.
E drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti edhe si një ish student i tij, e falënderoi që ia ka mësuar zanatin, e për shfaqjen e parë që është mbajtur në teatër pas luftës ku edhe u ringjall teatri i vendit.
Sheremeti kërkoi nga të gjithë të pranishmit që nga amfiteatri, Petrovci të përcillet në shtëpinë e tij të fundit me duartrokitje.
Në moshën 71 vjeçare, aktori i njohur, Enver Petrovci ka ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë. Petrovci është një nga themeluesit e Teatrit Dodona dhe Shkollës së Aktrimit në Prishtinë.
Në këtë rol, ai ndihmoi në formimin e brezave të rinj të aktorëve që sot përbëjnë shtyllat e teatrit dhe kinemasë në Kosovë.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.
