Politologu Imeri: Arrestimi i Maduros – a po i vjen radha Vuçiqit?

Analisti politik Dorajet Imeri thekson se zhvillimet rreth përplasjes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Venezuelës duhet të lexohen në një këndvështrim më të gjerë gjeopolitik.
Sipas tij, në Ballkan, Serbia vazhdon të mbështetet në të njëjtin bosht aleancash si Venezuela, përkatësisht në Rusi, Kinë dhe Iran. Lidershipi në Beograd, vlerëson Imeri, po llogarit se loja mes “neutralitetit” formal dhe orientimit real drejt Lindjes mund të vazhdojë pa pasoja, por ky kalkulim po përballet me rezistencë serioze nga SHBA dhe NATO. Mungesa e një pozicionimi të qartë pro-perëndimor, sipas tij, mund t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë.
“Ne Ballkan, Serbia vazhdon të mbeshtetet në të njëjtin bosht aleancesh si Venezuela, Rusi, Kine dhe Iran. Lidershipi në Beograd po mendon se kjo lojë mes “neutralitetit” dhe orientimit lindor mund të vazhdojë pa pasoja, por ky kalkulim po has në rezistencë serioze nga SHBA dhe NATO. Mungesa e një pozicionimi të qartë pro-perëndimor mund ta kushtojë shtrenjtë”, shkruan profesori universitar Dorajet Imeri.
Imeri shton se Uashingtoni po e bën të qartë se nuk do të tolerojë më përpjekjet e Moskës dhe Pekinit për të minuar interesat e SHBA-së dhe NATO-s, duke përdorur aktorë të tretë për të nxitur tensione dhe konflikte në rajone të ndryshme të botës. Qëllimi i kësaj strategjie, thekson ai, është dobësimi i demokracive dhe i vlerave perëndimore.
Në këtë kontekst, provokimet e vazhdueshme të Serbisë në rajon po shihen si pjesë e një skeme më të gjerë gjeopolitike. Nëse kjo qasje vazhdon, paralajmëron Imeri, reagimi i Perëndimit mund të jetë i fortë, pasi durimi i administratës amerikane po shteron ndaj shteteve që paraqiten si neutrale, por që në praktikë veprojnë kundër rendit demokratik perëndimor.
Shtetet e Bashkuara të shtunën kanë kryer sulme ajrore në Venezuelë, duke rezultuar më pas në arrestimin e presidentit të saj, Nicolas Maduro.
Shumë shtete kanë reaguar pas sulmeve e kapjes së Maduros.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është arrestuar dhe nxjerrë nga Venezuela në një aksion në shkallë të gjerë të kryer nga forcat amerikane në kryeqytetin Karakas, siç ka bërë të ditur presidenti amerikan, Donald Trump. Bashkë me Maduron është kapur edhe gruaja e tij.
