“Qershia mbi tortë”, Ademi flet për vitin e artë të Kosovës në futboll

“Qershia mbi tortë”, Ademi flet për vitin e artë të Kosovës në futboll

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë të gjerë për KosovaPress ka folur për vitin 2025 si një nga periudhat më të suksesshme për futbollin kosovar. Ai ka vlerësuar arritjet e Kombëtares A, progresin e grupmoshave të reja, rritjen e klubeve të Superligës dhe ambiciet e Kosovës për kualifikim në garat më të mëdha ndërkombëtare, duke theksuar se zhvillimi i futbollit është rezultat i një pune të vazhdueshme dhe bashkëpunimi në të gjitha nivelet.

Duke folur për Kombëtaren A, Ademi ka theksuar se paraqitjet e saj kanë qenë pika kulmore e vitit 2025. Sipas tij, suksesi dhe kualifikimi në play-off për Kupën e Botës kanë qenë pasqyrim i potencialit real të futbollistëve kosovarë.

“Qershia mbi tortë ose si rezultat, pasqyra e matjes dhe pasqyra e dëshira e të gjithë njerëzve të futbollit ka qenë ekipi nacional A, kombëtarja jonë, që gladiatorët tanë arritën të na bëjnë krenarë dhe të na kualifikojnë në play-off-in e Kupës së Botës, për vetëm nëntë vjet, jo rastësisht është shpallur edhe ekipi histori e suksesit nga FIFA vetë. Pra, është, për çdokënd, për kaq vite, faktikisht është një, si një lloj surprize, edhe pse, ç’është e vërteta, pritja ka qenë që do të shpërthejë Kosova duke e parë formën e futbollistëve, duke i parë futbollistët tanë që po shkëlqejnë yjet tanë, gladiatorët tonë, që i quaj unë tash. Sigurisht që po shkëlqejnë nëpër vendet e veta, nëpër klubet e veta, ata ku luajnë dhe ku e ofrojnë kontributin e tyre, dhe sigurisht që është gjetur çelësi ose ka ardhur momenti që është komponuar një ekip jashtëzakonisht mirë, në krye me trajnerin Foda”, thekson fillimisht Ademi.

Në vijim, kreu i FFK-së ka ndalur vëmendjen te Kombëtarja U21, duke e konsideruar garën e saj si një moment shumë të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit kosovar. Ai ka shprehur optimizëm për mundësinë e kualifikimit në Kampionatin Evropian.

“Ngjarje të tjera janë edhe U-21 që është në garë. Edhe ajo do të jetë shumë interesante dhe ka mundësi që do të kualifikohemi. Është jashtëzakonisht mirë dhe e kam shumë me qejf kualifikimin e U-21-it në këtë rast sepse dihet ky kampionat ku mbahet dhe si mbahet U-21-shi evropian dhe për këtë fakt jam shumë i lumtur po të shkonim dhe shpresoj dhe besoj që do të shkojmë në këtë kampionat, Kosova që do të prezantohet në mënyrën më të mirë të mundshme si shtet i pavarur që është”, vijon tutje Ademi.

I pari i FFK-së, flet edhe për rritjen e jashtëzakonshme të vlerës së klubeve të Superligës së Kosovës. Thotë se investimet e presidentëve, donatorëve dhe investitorëve kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të garës dhe në rritjen e vlerës financiare të klubeve.

“Por, në këtë rast, meritën më të madhe e kanë presidentët e klubeve dhe donatorët e klubeve dhe investitorët e klubeve, të cilët fillimisht e kanë bërë investimin e tyre dhe dihet tani sa është rritur niveli edhe në Transfermarkt i klubeve tona. Faktikisht nëse e marrim mesataren sepse nuk e kanë të njëjtë, por nëse e marrim mesataren është 4 milion e 800 mijë euro diku vlera e secilit klub në Superligë. Ose më mirë me thënë, çmimi më i lartë i një klubi që i prinë renditjes së vlerës është 8.5, ndërsa më i ulti është 2.300 – 2.400 afër. Që është një avancim jashtëzakonisht i madh sepse diku katër apo pesë vjet më parë çmimi më i lartë i një klubi tonë ka qenë 550.000”, bën të ditur Ademi.

Sa i përket synimeve për Kupën e Botës 2026, Ademi ka theksuar se Kosova po përballet me sfida të mëdha, por se besimi në ekip dhe puna profesionale janë çelësi për të arritur objektivin. Ai ka nënvizuar se në këtë fazë nuk ka kundërshtarë të lehtë dhe se çdo ndeshje kërkon përgatitje maksimale, me synimin e qartë për të siguruar pjesëmarrjen në Botërorin që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse flasim profesionalisht nuk është ndeshje e lehtë, fillimisht me Sllovakinë. Por edhe ndeshja e dytë që na vjen, pra duhet me qenë, siç thuhet, në një formë popullore me këmbë në tokë dhe duhet menduar drejt dhe profesionalisht sepse secili i ka ambiciet e veta. Secili ekip që ka ardhur deri këtu, mund të themi, edhe ata i thonë vetes që janë të mirë sikur ne që jemi. Tani nuk ka më autsajder, nuk ka ekip që e cila është shumë e dobët ose e ka të sigurtë, secili ekip mund ta mposhtë tjetrin. Nuk ka asnjë ekip të sigurtë, asnjë ndeshje nuk është e sigurte…Besoj në këtë ekip dhe mendoj që sa i përket kualitetit mund të ndodhë gjithçka, por ne mendoj që po punojmë dhe jemi duke bërë të pamundurën në të gjitha drejtimet për të qenë në Amerikë, sepse kemi shumë me interes pikërisht sivjet me qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoinAdemi.

Në fund, Ademi komenton edhe interesimin e madh të klubeve evropiane për futbollistin Fisnik Asllani.

Sipas Ademit, sukseset e vitit 2025 nuk janë të rastësishme, por rezultat i një vizioni afatgjatë, investimeve të vazhdueshme dhe besimit në potencialin e futbollistëve vendorë, me synimin që Kosova të vazhdojë të forcojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare./A. Bytyqi

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë