Bajrami: Po, votuesit tanë kokën lart – Ne të tjerët gishtin në kokë

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, duke adresuar situatën politike në vend dhe qëndrimin e partisë së saj.
Bajrami ka shkruar nw Facebook se votuesit e LDK-sw duhet ta mbajnë kokën lart, ndërsa shton se “Ne të tjerët gishtin në kokë. Sepse kjo është koha për të dhënë përgjegjësi dhe për të marrë përgjegjësi”.
“Po, votuesit tanë kokën lart. Ne të tjerët gishtin në kokë. Sepse kjo është koha për të dhënë përgjegjësi dhe për të marrë përgjegjësi”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Më tej ajo ka kritikuar qeverisjen pesëvjeçare, duke theksuar se fitorja zgjedhore është arritur, sipas saj, pavarësisht mungesës së rezultateve konkrete, përfshirjes së zyrtarëve nën aktakuza, korrupsionit të lartë, masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian, përkeqësimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe problemeve në fushën e sundimit të ligjit dhe ekonomisë.
Ajo ka përmendur gjithashtu inflacionin dyshifror, çështjet në sektorin e energjisë dhe shkeljet e Kushtetutës, duke i cilësuar këto si dështime serioze të qeverisjes aktuale.
Në adresimin e saj drejtuar votuesve dhe strukturave të LDK-së, Bajrami ka shprehur mirënjohje për besimin dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar se ata janë shtylla që e mbajnë partinë “gjallë dhe të fortë”.
“Ambicia ime e vetme ka qenë dhe mbetet shërbimi ndaj qytetarëve, rritja e LDK-së dhe mbrojtja e interesit shtetëror,” ka deklaruar ajo, duke shtuar se LDK do të vazhdojë rrugën e saj drejt rikthimit në krye të skenës politike.
Në përfundim, Bajrami ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës “do të rikthehet e para, me punë, me besim dhe me ekip”.
Pas procesimit të rezulateve preliminare në platformën e KQZ-së, LDK ka marrë vota 13.59%.
