1 i vrarë e 28 të plagosur në sulmin ajror rus në Kiev

Të paktën një person u vra dhe 28 të tjerë u plagosën në një sulm ajror rus në Kiev që filloi gjatë natës dhe zgjati deri të shtunën në mëngjes, sipas autoriteteve ukrainase.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitaly Klitschko, tha në një deklaratë se të paktën 28 persona u plagosën, me 13 të shtruar në spital.
Më parë, kreu i administratës ushtarake rajonale, Mykola Kalashnik, tha në Telegram se një grua u vra dhe 10 të tjerë, përfshirë dy fëmijë, u plagosën në rrethin Bila Tserkva si rezultat i sulmit.
Ndërkohë, media ukrainase raportoi se Rusia nisi një sulm masiv ajror gjatë natës, duke përdorur dronë dhe raketa.
Si rezultat, ndërtesa banimi shumëkatëshe dhe private, një konvikt i një institucioni arsimor dhe objekte infrastrukturore u dëmtuan në disa rrethe të Kievit, raporton Anadollu, përcjell KosovaPress.
Veçmas, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në Telegram se pothuajse 500 dronë, si dhe 40 raketa, përfshirë raketa hipersonike Kinzhal, u përdorën në sulm.
Sipas tij, infrastruktura energjetike dhe civile u dëmtuan në sulm, dhe shërbimet e emergjencës po punojnë në vende të ndryshme, duke pastruar rrënojat dhe duke shuar zjarret.
