Milan–Gabriel Jesus, zbardhet e vërteta e zërave të merkatos

Milani po vazhdon të monitorojë tregun e transferimeve për të përforcuar skuadrën e Massimiliano Allegrit, me synimin e qartë rikthimin në Ligën e Kampionëve. Ditët e fundit u përfol edhe emri i sulmuesit brazilian të Arsenalit, Gabriel Jesus, por sipas informacioneve të fundit, ky opsion nuk po shihet si prioritar nga drejtuesit e Rossonerëve.
Gazetari Matteo Moretto ka bërë të ditur se “Gabriel Jesus i është propozuar Milanit përmes kontakteve indirekte nga ndërmjetës”, por ka shtuar se “në gjendjen aktuale, sulmuesi brazilian nuk është ndër objektivat e Milanit”. Në të njëjtën linjë është edhe qëndrimi i lojtarit, i cili, pas rikthimit nga një dëmtim i rëndë në ligamentin e kryqëzuar, dëshiron të vazhdojë te Arsenali dhe “të bëjë histori me klubin londinez”.
Sa i përket merkatos së dimrit, Moretto ka deklaruar se Milani mund të vlerësojë situata të reja vetëm në rast se ndodh një largim në repartin ofensiv, por “deri më tani nuk ka indikacione konkrete” për afrimin e një qendërsulmuesi tjetër. Për momentin, pista Gabriel Jesus duket më shumë një zë sesa një mundësi reale.
