Kurti: Për fundvit do të ketë shtesa nga 100 euro për fëmijë e pensionistë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë dhe kandidat për një mandat të ri, Albin Kurti ka thënë se për fëmijët dhe pensionistët do të ketë shtesa prej 100 eurosh për fundvit, raporton KosovaPress.
Duke shprehur besimin për fitore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, Kurti në një postim në Facebook ka thënë se ndarja e këtyre mjeteve shtesë bëhet sikurse viteve të kaluara.
“Më 28 dhjetor fitojmë bindshëm dhe festojmë, pastaj me 29 dhjetor gëzohen të gjithë fëmijët e pensionistët. Sepse me fitoren tonë, Viti i Ri vjen më herët. Sikurse çdo vit, edhe sivjet kemi vendosur të mbështesim fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit prej 100 eurove”.
Ai ka theksuar se mos votimi i buxhetit nga opozita ka vështirësuar punën, por “kanë bërë të pamundurën që edhe këtë vit të sigurojnë mbështetjen e fundvitit, e cila do të procedohet para natës së Vitit të Ri”.
“Urime festat e fundvitit, dhe t’i gëzoni bashkë me familjet tuaja!”

