Dhjetëra të plagosur nga shpërthimi në një xhami në Indonezi

Pesëdhjetë e katër persona, përfshirë nxënës dhe mësues, u plagosën të premten pasi ndodhën disa shpërthime brenda xhamisë së një shkolle në Xhakarta të Indonezisë.
Sipas Jakarta Globe, shpërthimet ndodhën rreth orës 12:30 në shkollën e mesme shtetërore “State Senior High School 72” në veri të Xhakartës, duke cituar policinë.
Shumica e viktimave pësuan lëndime të lehta, jo kërcënuese për jetën, të shkaktuara nga copat e xhamit dhe goditja e valëve të shpërthimit.
Njësia për çaktivizimin e bombave kreu një inspektim të plotë të zonës pas incidentit, raporton KosovaPress.
Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun e ngjarjes. Sipas transmetuesit tvOne, në vendngjarje u gjetën një armë zjarri me tytë të gjatë dhe një pistoletë.
Arma me tytë të gjatë kishte disa mbishkrime, përfshirë emrin “Brenton Tarrant”, supremacisti i bardhë australian që kreu sulmin në Christchurch në vitin 2019; frazat “Welcome to Hell” (“Mirë se vini në ferr”) dhe “For Agartha”, që i referohen një teorie konspirative për ekzistencën e qenieve të avancuara që sundojnë fshehurazi Tokën; vitin “1189”, kur filloi Kryqëzata e Tretë; dhe emrin “Alexandre Bissonnette”, autori i sulmit në xhaminë e Quebec City në vitin 2017.
Sipas Jakarta Globe, pranë vendit të ngjarjes u gjetën edhe objekte të dyshimta si pjesë që ngjanin me një pajisje shpërthyese të improvizuar, një telekomandë, si dhe armë ajrore dhe revolverë.
Policia njoftoi se hetimet janë ende në vazhdim dhe se të gjitha provat do të ekzaminohen.
Zëdhënësi i Njësisë AntiTerror Detachment 88, Mayndra Eka Wardhana, tha se ekipi i tyre po vlerëson nëse incidenti ka lidhje me rrjete terroriste.
