Mbi 40 biznese italiane po ekspozojnë produktet e tyre në Klik Ekspo Group

Mbi 40 biznese italiane po ekspozojnë produktet e tyre në Klik Ekspo Group

Mbi 40 biznese italiane po ekspozojnë produktet dhe punën e tyre në panairin ndërkombëtar “Klik Ekspo Group” në Tiranë. Nga 250 biznese në tërësi, 170 prej tyre janë të huaja nga shtete të ndryshme të botës.

Përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë së Italisë “FederCamere”, Riccardo Bertinetti tha se Shqipëria ka potencial të madh për rritje ekonomike.

“Duhet të konfirmohet se Shqipëria është një vend gjeografikisht, historikisht, dhe në këtë moment të saktë historik, me një potencial të tillë për shkëmbim që përbën një pjesë të pakufizuar të këtij potenciali. Pra, ka hapësira të mëdha për rritje dhe përmirësim, por jam i sigurt se do të jemi në gjendje t’i kapim ato së bashku”, tha ai.

Gjatë këtyre ditëve, ai tha se kanë zhvilluar takime e biseda me sipërmarrës të bizneseve të ndryshme nga Shqipëria e vende të tjera.

“Sa i përket rëndësisë së aktiviteteve të tilla të organizuara këtu në Tiranë nga Klik Expo Group, për të pasur një rrjet më të gjerë bashkëpunimesh me dhomat e ndryshme të tregtisë, por edhe me biznesin, kjo është absolutisht një prioritet për FederCamere: të mbajë sa më efikas rrjetin e kontakteve në botë me aparatin institucional të vendeve të ndryshme, asociacionet e kategorive, shkollat profesionale, por mbi të gjitha dhomat e tregtisë, ministrat dhe aktorët kryesorë të ekonomive lokale…Pavarësisht kësaj, ne nuk jemi vetëm punonjës, por jemi sipërmarrës për veprat tona. Pra, ajo që duam është të zhvillojmë me forcë dhe me rezultate praktike modelin e tyre të biznesit, qofshin kompani të vogla, start-up-e, apo kompani të mëdha që duan të konsolidojnë aktivitetin jashtë vendit përmes kanaleve më të përshtatshme dhe të sigurta, atë të sistemit të dhomave të tregtisë të vendeve të ndryshme”, shtoi ai.

Mario Vignola nga kompania “LGM” në Itali, e cila operon në sektorin e trajtimit të metaleve thotë se është viti i parë që marrin pjesë në këtë panair.

Ai tregon se kompania e tij merret me ndërtimin e impianteve për gërshetimin e metaleve.

“Është viti i parë që vijmë dhe marrim pjesë këtu në Tiranë, në panair, dhe kjo gjithashtu falë njohjes së disa klientëve që kemi këtu në Shqipëri, të cilët na kërkuan të jemi të pranishëm në këtë panair. Gjithashtu, sepse është një panair mjaft i përgjithshëm, me dy produkte. Por ne mendojmë se mund të jetë një pikënisje për të vazhduar zhvillimin e produktit tonë këtu në Shqipëri, dhe në përgjithësi në vendet e Ballkanit. Është një biznes familjar, jemi 13 persona, dhe ndodhet në Milano, në veri të Italisë. Ne tashmë kemi një agjenci këtu në Tiranë, dhe është një agjenci që na ofron mbështetje dhe shërbim të madh komercial. Pra, mendojmë se është një pikë e mirë. Ne po investojmë shumë, jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në rajonin e Ballkanit. Pra, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova mbi të gjitha. Sepse jo vetëm Shqipëria do të zhvillojë më shumë struktura, por edhe Kosova po punon shumë mirë në pjesën civile, duke ndërtuar vepra të mëdha. Mjafton të shikosh rrugët, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, këto struktura po zhvillohen shumë. Prandaj është më mirë të jemi të pranishëm që në fillim”, ka thënë ai.

Për herë të parë në këtë panair merr pjesë edhe “BELMET MI”, kompani nga Sllovenia e cila ofron pajisje dhe shërbime për elektrifikimin e rrjetit të kontaktit të hekurudhës.

Matjazh Marinko nga kjo kompani thotë se janë në Shqipëri për të treguar përvojën e tyre në këtë fushë.

“Dëgjuam se keni shumë projekte të bukura për elektrifikimin, dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu, sepse kemi shumë përvojë në këtë fushë…Në përgjithësi, në Slloveni dhe kompanitë e partnerëve tanë në gjithë botën, në të gjithë Evropën, disa prej kompanive janë tashmë 100 vjeçare, pra po flasim për cilësi shumë të mirë dhe shumë përvojë. Kjo është një mundësi unike për të prezantuar veten tonë. Ka shumë njerëz, shumë vizitorë, patëm shumë takime të bukura dje dhe shpresojmë që kjo histori të vazhdojë me kënaqësinë e të gjithëve”, theksoi ai.

Panairi ndërkombëtar “Klik Ekspo Group” ka filluar të mërkurën dhe mbyllet nesër.

Në katin e dytë të Pallatit të Kongreseve është vendosur edhe stenda e Agjencisë se Lajmeve KosovaPress.

Ky është edicioni i 31-të i panairit me moton “Dritare drejt së ardhmes”, i cili në fokus ka zhvillimin e qëndrueshëm “Shqipëria 2030”. 

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë