Panairi në Tiranë zgjon interesim të madh nga kompani nga vendi, rajoni e bota

Mbi 100 milionë euro është shifra e shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë gjatë këtij viti, thotë kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa.
Ajo në intervistë për KosovaPress thotë se gjysma e kësaj vlere është investim nga Kosova në Shqipëri.
Në panairin ndërkombëtar “Klik Ekspo Group” në Tiranë, ajo shton se ka një rënie të pjesëmarrjes së kompanive nga Kosova.
“Do të kishin dashur shumë edhe prezencën e më shumë kompanive nga Kosova, sepse këtij viti kam përshtypjen që ka një rënie. Ndërkohë që nëse do të flasim për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona, në vitin 2025 kemi një bum të shkëmbimeve tregtare, të cilat pothuajse kanë prekur shifrën 102 milionë euro me shkëmbime tregtare mes të dyja vendeve tona dhe ka goxha rëndësi që Kosova tashmë ka marrë një rol të rëndësishëm, sepse mbi gjysma e kësaj vlere është pikërisht e investimeve kosovare në Shqipëri”, thotë ajo për KosovaPress.
Ajo tha se panairi në Tiranë po mundëson takimin e bizneseve të të gjitha vendeve të rajonit por edhe më gjerë.
“Panairi Klik Ekspo Group është panairi më i rëndësishëm që organizohet në Tiranë, kësaj radhe kemi edicionin e 31-të. Unë e konsideroj gjithmonë dhe Panairin e Dhomave të Tregtisë, sepse një pjesë e këtij panairi mbushet me Dhomat e Tregtisë, të cilat kanë qenë gjithmonë aktive. Kësaj radhe do të përmendja përsëri dhomat nga rajoni, siç është Dhoma e Malit të Zi, Dhoma e Serbisë, merr pjesë Turqia, si çdo vit është shtuar numri i kompanive italiane të përfaqësuara nga organizata të ndryshme të bizneseve. Janë të pranishme edhe Dhomat e Tregtisë italiane dhe shumë kompani të tjera, të cilat kanë ardhur në mënyrë autonome. Janë mbi 250 kompani, të cilat prekin shumë sektorë. Këtë vit ka më tepër prezencë edhe për sektorë të rëndësishëm, siç është energjia si një sektor strategjik, është shtuar sektori i ndërtimit po ashtu sektor strategjik për Shqipërinë, por edhe në rajon, turizmi, një sektor tjetër i rëndësishëm, tregtia një tjetër zë goxha i rëndësishëm që dominon këtë panair”, tha ajo.
Në këtë panair po merr pjesë edhe Agjencia e Lajmeve KosovaPress, ku vizitorë të shumtë kanë mundësi pranë stendës të mësojnë për historinë, punën dhe shërbimet.
Motoja e edicionit të sivjetmë është “Dritare drejt së ardhmes”, i cili në fokus ka zhvillimin e qëndrueshëm të “Shqipërisë 2030”. Në edicionin e 31-të të këtij panairi po marrin pjesë mbi 250 kompani të ndryshme dhe institucione kryesore, inovatorë, ndërtues, të gjithë të mbledhur nën një çati.
