Ngjarje e rëndë në Malishevë: Vriten dy vëllezër

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës ku për pasojë kanë mbetur të vrarë dy vëllezër.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30, teksa pas plagëve të marra viktimat janë dërguar në QMF-në e Kijevës ku është konstatuar vdekja e tyre, transmeton KosovaPress.
Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sheremet Elezaj i cili tha se është identifikuar edhe personi i dyshuar për veprën.
“Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës.
Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, thuhet në përgjigjjen e Elezajt për KosovaPress.
Lajmi në përditësim…
