Chivu i pakënaqur me Interin

Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka shprehur pakënaqësi pavarësisht fitores 2-1 ndaj Kairat Almaty në Ligën e Kampionëve. Rumuni mori përgjegjësinë për paraqitjen nën pritshmëri të skuadrës së tij.
“Na u desh shumë kohë për të gjetur golin. Marr përgjegjësinë, sepse me sa duket nuk arrita t’u transmetoj mentalitetin e duhur lojtarëve,” tha Chivu për Sky Sport Italia. “E di që luajmë çdo tre ditë, por duhet të kishim bërë më mirë.”
Interi e fitoi ndeshjen me golat e Lautaro Martinez dhe Carlos Augusto, ndërsa pësoi golin e parë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve.
“Do të marr tre pikët, por duhet të punoj më shumë. Detyra ime është të gjej fjalët dhe motivimin e duhur për t’i bërë lojtarët më të përqendruar,” shtoi ai.
Lautaro Martinez u zëvendësua në pushim, dhe Chivu sqaroi se ishte një vendim i planifikuar. “Kishim rënë dakord që do të luante vetëm pjesën e parë. Ai e bëri detyrën, shënoi dhe pastaj duhej të pushonte.”
Trajneri rumun pranoi se nuk është ende plotësisht i kënaqur me skuadrën. “Nuk pres përsosmëri, por mund të kishim bërë disa gjëra më mirë. Po punoj me kampionë që duan një sezon të madh,” tha Chivu.
Interi do të përballet me Lazion në fundjavë, përpara pushimit ndërkombëtar dhe derbit të madh ndaj Milanit.
