Mandatimi i Konjufcës, VV kërkon votat pa koalicion – ish-opozita e sheh si lojë për shtyrje të zgjedhjeve

Një ditë pas mandatimit për kryeministër të Glauk Konjufcës, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar votën e partive të ish-opozitës në Kuvend, siç thonë, për një qeveri kalimtare afatshkurtër për votimin e projektbuxhetit për vitin 2026, si dhe miratimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Mirëpo në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) si dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) thonë se nuk kanë votë për Konjufcën dhe asnjë qeveri të pakicës. Sipas tyre, nuk e kanë asnjë obligim që të votojnë qeverinë e LVV-së pa marrëveshje politike për koalicion qeverisës. Madje, vendimin e presidentes Osmani për mandatimin e nënkryetarit të LVV-së për kryeministër më shumë e shohin si zvarritje të qëllimshme për të shtyrë datën e zgjedhjeve të parakohshme.
KosovaPress ka kontaktuar edhe me zyrtarë të PDK-së dhe Nismës për të marrë qëndrimin e tyre, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.
Në partinë e Memli Krasniqit të martën kanë thënë se mandatimi i Konjufcës për kryeministër vetëm sa e ka thelluar krizën politike.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dështuar më 26 tetor të formojë qeverinë e re në Kuvend. Ai mori vetëm 56 vota nga 61 të nevojshme për ta formuar ekzekutivin e ri.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, ish-deputeti i legjislaturës së kaluar, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress se pret që partitë e ish-opozitës të rezonojnë arsyeshëm dhe të votojnë kabinetin qeveritar të prezantuar nga Konjufca në Kuvend.
“Unë pres që edhe opozita të rezonojë arsyeshëm në këto 15 ditë që i ka zoti Konjufca për ta votuar kabinetin qeveritar. Të votohet qeveria dhe të merren këto vendime… Ne i kemi bërë të qartë se nuk bëhet fjalë për një qeveri afatgjatë, por për një qeveri që do të marrë këto tre-katër vendime që janë në interes të qytetarëve dhe shtetit“, thotë ai.
Por kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se nuk kanë votë për Konjufcën dhe se Kosova s’ka nevojë për një qeveri të pakicës.
“Glauk Konjufca, me mandatar të trashëguar në rrethanat e tanishme politike, duke kuptuar qartë dhe saktë vullnetin qytetar, duhet të jetë i sinqertë me veten. Më shumë dhe shumë më shumë sesa kryetari i tij. Të konstatojë se nuk ka shumicë për kryeministër”, tha ai të mërkurën në konferencë për media.
Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, thotë për KosovaPress se LVV-ja dhe presidentja Osmani, përmes mandatimit të Glauk Konjufcës për kryeministër, po tentojnë vetëm të përfitojnë kohë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
https://kosovapress.com/konjufca-nje-qeveri-pa-kurtin-kompromisi-me-i-madh-qe-mund-te-beje-lvv
Ajo thekson se AAK-ja nuk ka votë për Konjufcën, derisa shton se asnjë parti politike në Kuvend nuk e ka obligim ta votojë atë pa një marrëveshje politike dhe koalicion qeverisës.
“Pa një koalicion askush nuk e voton një mandatar kur nuk kanë një marrëveshje politike apo koalicion politik… Në asnjë formë nuk e ka obligim ndonjë parti e cila nuk është në qeverisje dhe as në ndonjë koalicion ta votojë qeverinë e huaj. Ju e dini se edhe ato oferta që iu kanë bërë Nismës dhe LDK-së nuk kanë qenë oferta serioze, por fyese”, thekson Kadrijaj.
Në anën tjetër, hulumtuesi në KDI, Vullnet Bugaqku, thotë për KosovaPress se presidentja Vjosa Osmani ka vepruar drejt kur e ka mandatuar Konjufcën për kryeministër si të propozuarin e dytë të LVV-së për këtë post.
“Vlerësoj se duhet të shterohen të gjitha mundësitë kushtetuese dhe të plotësohen të gjitha kushtet që i kërkon neni 82 i Kushtetutës që vendi paraprakisht të përfundojë në zgjedhje pasi të dështojë në rundin e dytë”, deklaron ai.
Në bazë të afateve kushtetuese, Konjufca, si mandatar i dytë, ka afat prej 15 ditësh për t’ia prezantuar Kuvendit kabinetin qeveritar.
Që Konjufca të zgjidhet kryeministër, ai duhet të votohet nga së paku 61 deputetë prej 120 sa ka Kuvendi i Kosovës. Nëse as i mandatuari i dytë nuk arrin që të sigurojë votat e nevojshme për të formuar Qeverinë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Sipas Kushtetutës, ato duhet që të mbahen brenda 40 ditësh, nga dështimi i të mandatuarit të dytë për kryeministër.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe më shumë se tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit./KosovaPress/
