Barazia gjinore është domosdoshmëri për zhvillimin e sportit

Me qëllimin për ta promovuar dhe fuqizuar rolin e gruas brenda dhe jashtë fushës sportive, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe federatat sportive vendore kanë nëshkruar deklaratën “Brighton Plus Helsinki”, e cila është një dokument ndërkombëtar që promovon barazinë gjinore në sport.
Nënshkrimin e kësaj deklarate, presidenti i KOK ut, Ismet Krasniqi e quajti moment historik për sportin e Kosovës pasi përmes saj po bëhet një hap vendimtar që gratë ta kenë të garantuar përfshirjen e tyre në sport, si mjet për barazi dhe unifikim.
Ai tha se ky nënshkrim është fillimi i një pune të përbashkët për të nisur politika të reja në unifikimin e sportit në aspektin gjinor.
“Ky është një moment i rëndësishëm për Lëvizjen Olimpike dhe për sportin kosovar në përgjithësi sepse përmes këtij akti ne po konfirmojmë zotimin tonë për një sistem sportiv gjithëpërfshirës, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë pa dallim gjinie. Barazia gjinore nuk është vetëm një sinonim moral apo social, ai është një domosdoshmëri për zhvillimin dhe suksesin e sportit në vend. Çdoherë që ne u japim vajzave hapësirën e merituar në sport, ne i japim mundësi vet sportit të bëhet më i drejtë, më atraktiv dhe më i fortë”, theksoi Krasniqi.
Ndërsa, Annamarie Phelps, kryetare e Sekretariatit të Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkëkryesuese e Komitetit Ekzekutiv Global të “IWG Women and Sport”, theksoi se Kosova ka numër të madh të grave të suksesshme në sport dhe tani është koha që institucionet drejtuese të sportit në Kosovë të tregojnë që janë të interesuara që duan t’u japin grave hapësirën e merituar në sport.
“Por për shumë kohë, në mbarë botën, sporti ka qenë një derë e mbyllur për shumë gra. Vendimet që janë marrë për dekada me radhë i kanë përjashtuar ato. Përdorimi i pajisjeve shumë të mëdha, kërkimet mjekësore të bëra mbi atletë meshkuj, uniformat që nuk përshtaten ose fokusohen në estetikë dhe jo në performancë. Tani është koha që ta bëjmë sportin diçka normale për vajzat, të marrim vendime gjithëpërfshirëse që marrin parasysh nevojat dhe ambiciet e tyre. Në çdo analizë të trendeve të ardhshme në sport që kam lexuar gjatë vitit të fundit, kanë dalë tre tema kryesore…Ndoshta e dini që të ardhurat nga sporti i grave për vitin 2025 ishin parashikuar të kalonin për herë të parë 1 miliard dollarë këtë vit. Në fakt, ato i kanë tejkaluar këto pritshmëri dhe rritja po përshpejtohet. Jo vetëm kaq, por 4 miliardë gra në këtë planet kontrollojnë 31.8 trilionë dollarë të shpenzimeve diskrecionare të sotme”, theksoi Phelps
Për rëndësinë e nënshkrimit të kësaj deklarate foli edhe Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Sportit, Ibër Alaj. Ai theksoi se angazhimi për gruan në shoqëri është vlerë demomratike dhe se MKRS e mbështetë përfshirjen dhe barazinë e gruas në sport dhe se kjo ministri do të mbështesë çdo iniciativë që i jep shtytje barazisë gjinore në sport.
“Inicativat apo angazhimi për avancimin e gruas në shoqëri është njëra prej vlerave që ka një shoqëri demokratike, andaj ne si Ministri e Kulturës, Rinsië dhe Sportit mbështesim programe të veçanta për sportin femëror e konsiderojmë si një prej atributeve të cilat i ka shoqëria kosovare. Poashtu edhe medaljet që i kemi arritur i kemi arritur fa femrat kështu që për ne mbështetja do të vazhdojë në vazhdimësi”, deklaroi Alaj.
Përveç KOK-ut dhe federatave sportive, deklarata është nënshkruar edhe nga organizata joqeveritare që merren me të drejtat e grave, si dhe universitete nga vendi.
