Osmani: Do të bëj çmos të shmang zgjedhjet e reja parlamentare

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se do të bëjë çmos që t’i shmangë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Ajo pas takimit të premten me liderët e partive politike tha se nuk kishte pajtueshmëri për çështjen e mandatarit të dytë për ta formuar qeverinë e re.
E para e vendit tha se do të komunikojë sërish me kryetarët e partive politike deri më 5 nëntor për të parë nëse ka mundësi për të mandatuar mandatarin e dytë për qeverinë e re, raporton KosovaPress.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i cili ka qenë mandatar për kryeministër, ka dështuar javën e kaluar të formojë qeverinë e re, pasi mori vetëm 56 vota nga 61 të nevojshme.
Megjithatë, e para e vendit tha se Kurti si kryetar i partisë së parë në zgjedhjet e 9 shkurtit kërkoi edhe disa ditë kohë para se të skadojë afati prej dhjetë ditësh për çështjen e mandatarit të dytë.
Osmani tha se është në diskrecionin e saj për mandatarin e dytë, porse do të veprojë se kush ia argumenton se ka shumicën parlamentare, por jo domosdo nevojën për t’ia dëshmuar me 61 nënshkrime të deputetëve.
E para e vendit theksoi se në disa aktgjykime të Kushtetueses theksohet se mandatari i dytë për kryeministër duhet të jetë i ndryshëm nga mandatari i parë i cili ka dështuar ta formojë qeverinë.
Sipas saj, presidentja e vendit e ka obligim që të bëjë çmos që të shmangë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.
Ajo tha se në takim me partitë politike nuk kishte dakordim as për miratimin e buxhetit për vitin 2026.
Për këtë arsye Osmani tha se do të përdorë dispozitat kushtetuese që ajo t’i dërgojë në Kuvend zgjatjen e buxhetit të vitit 2025 deri më 31 mars të vitit 2026, projektligjet për Planin e Rritjes së BE-së si dhe çështjen e RTK-së në mënyrë që punëtorët e këtij institucioni mos të mbesin pa paga.
Krahas kësaj, Osmani tha se edhe çështja e zgjedhjes së presidentit është përmendur në takimin me liderët e partive politike.
Osmanit i skadon mandati në mars 2026. Ajo përmendi rrezikun që vendi të shkojë edhe në palë zgjedhje vitin e ardhshëm nëse s’ka pajtim për zgjedhjen e presidentit. Ajo nënvizoi nevojën që presidenti i vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, mirëpo për këtë nevojiten ndryshime kushtetuese.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.
