Zyrtare: Barcelona zbulon datën e kthimit në “Spotify Camp Nou”

Barcelona ka njoftuar se më 7 nëntor do të rikthehet zyrtarisht në “Spotify Camp Nou”, ku do të zhvillojë një stërvitje me dyer të hapura përpara tifozëve. Ky aktivitet do të shërbejë si provë teknike dhe organizative para hapjes së plotë të stadiumit të rinovuar.
Stërvitja do të nisë në orën 11:00, ndërsa dyert e stadiumit do të hapen në orën 9:30. Në këtë fazë të parë të rikthimit, do të lejohen 23 mijë tifozë në zonat e tribunës dhe të golit jugor.
Shitja e biletave ka nisur sot në orën 11:00. Gjatë 48 orëve të para, ato do të jenë në shitje vetëm për anëtarët e klubit, ndërsa më pas për publikun e gjerë. Çmimi është 5 euro për anëtarët dhe 10 euro për të tjerët, ndërsa të ardhurat do të shkojnë për projektin “Pulseras Blaugranas”, që ndihmon fëmijët dhe adoleshentët e hospitalizuar.
Megjithatë, ndeshjet zyrtare nuk do të zhvillohen ende në “Camp Nou”. Drejtuesit e klubit kanë vendosur të presin deri në marrjen e licencës për fazën 1B, që do të rrisë kapacitetin në 45 mijë spektatorë. Kjo pritet të ndodhë midis 12 dhe 15 nëntorit, dhe ndeshja e parë mund të jetë më 29 nëntor kundër Alavés, në përvjetorin e 126-të të klubit.
Trajneri Hansi Flick ka dhënë miratimin për këtë aktivitet, duke kërkuar që të mos ndërhyhet në përgatitjet e skuadrës për ndeshjen kundër Celta Vigos më 9 nëntor.
