Ekspozita “The Glass Room” zbardhë ndikimin e dezinformatave në jetën e përditshme në Kosovë

Ekspozita “The Glass Room” zbardhë ndikimin e dezinformatave në jetën e përditshme në Kosovë

Në kuadër të Javës Globale të Edukimit për Median dhe Informimin, me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, u mbajt punëtoria interaktive “Demystifying Your Data – Facts vs. Feelings: Keep Calm and Spot the Design Tricks” në hapësirat e Europe House në Prishtinë.

Temat që u trajtuan përfshinë rrezikun e deepfake-ve, paragjykimet algoritmike, dhe ndikimin e dizajnit digjital në opinionin publik, me theks të veçantë te mënyrat praktike për t’i verifikuar burimet dhe për të mbrojtur privatësinë personale online. Nga hulumtimet, dezinformata është bërëpjesë e përditshmërisë në shumë fusha të jetës shoqërore.

Gazetari hulumtues i BIRN, Kreshnik Gashi theksoi rëndësinë e edukimit medial për të rinjtë, duke theksuar se ekspozita “The Glass Room – Misinformation Edition” synon ndërgjegjësimin dhe aftësimin e qytetarëve për të njohur e luftuar dezinformimin.

“Do të jetë prezentë në pesë qytetet e Kosovës, është zhvilluar një program i kombinuar mes ekspozitës e cila ka për qëllim edukimin e të rinjve, sigurimin e informacionit, dezinformatat dhe koncepte të tjera të ruajtjes së privatësisë. Krahas ekspozitës ekziston edhe një program i gjerë i zhvillimit të kapaciteteve për të rinjtë, duke u ofruar një program të trajnimit i cili është shumë i strukturuar dhe u ofron informacione të detajuara, fillimisht për mënyrën se si duhet të lexohet mediat.. Po ashtu një fokus tjetër i këtij programi është edhe elementi i ruajtjes së privatësisë dhe kontrollimi i të dhënave personale”, tha Gashi. 

Tutje ai shtoi se dezinformata ka një ndikim të lartë në jetën e përditshme shoqërore, e përveç se është prezente në mediat online në Kosovë, sipas tij gjenden edhe në tekste shkollore e faqe qeveritare.

Sipas Gashit zgjidhja e kësaj situate është edukimi medial si ky që është mbajtur sot. 

“Ajo çka kemi mbërri me kuptua deri tash është që dezinformata ka një ndikim shumë të lartë në jetën tonë të përditshme, duke ia nisur prej asaj se çka blejmë në marketetona, e deri tek vendimmarrja politike. Në momentin që konstatohet se ka një problem të madh me ndikimin e dezinformatave dhe jetën e përditshme, atëherë neve na rrjedhë edhe konstatimi se dezinformata është shumë prezente çoftë në media, mirëpo në konceptin tonë nuk është vetëm në media por në konceptin gjithëshoqëror pasi që dezinformata gjendet edhe në tekstet shkollore edhe në kulturë, faqet qeveritare edhe në diskursin publik.. Zgjidhja e kësaj situate në vazhdimësi gjithmonë kthehet tek edukimi dhe për këtë arsyeje programet e edukimit medial si ky sot janë të rëndësishme”,  tha ai. 

Punëtoria ishte pjesë e ekspozitës multimediale “The GlassRoom – Misinformation Edition”, e zhvilluar nga organizata Tactical Tech (Berlin), e cila shpalos mënyrat se si teknologjia, dezinformimi dhe mbledhja e të dhënave formësojnë sjelljen e përdoruesve në botën digjitale.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Prishtinë deri më datën 31 tetor 2025, dhe më pas do të udhëtojë në katër komuna të tjera të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Podujevë, Gjakovë dhe Graçanicë.  /A. Shala/ 

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë