Liburn Aliu në krye të Portit të Durrësit: Në Kosovë më shihnin si të Shqipërisë, këtu si të Kosovës

Zëvendëskryeministrja e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantoi sot drejtuesin e ri të Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu, duke theksuar se emërimi i tij vjen në një moment kyç për zhvillimin strategjik të porteve shqiptare.
Balluku u ndal te projekti madhor për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një nismë që synon ta kthejë Shqipërinë në një nyjë të rëndësishme logjistike dhe ekonomike në rajon.
Drejtori i ri i Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu tha se ky port është i shqiptarëve dhe arterie ekonomike për Kosovën.
Sipas tij, Porti i Durrësit vërtetë nuk është vetëm port i Shqipërisë, është port i gjithë shqiptarëve, i rajonit.
Ai tha se Kosova pothuajse pjesën dërrmuese të mallrave e merr nga ky port.
Gjatë fjalës së tij ai ka falënderuar Ballukun dhe kryeministrin Edi Rama që i besuan këtë post, ndërsa tha shpreson të shihen sa më shpejt rezultatet dhe sukseset në drejtimin e Portit.
Aliu, i cili ka studiuar disa vite në Shqipëri në kohën e gjimnazit, tha me humor se ndoshta tani në Shqipëri e ‘shohin si të Kosovës’, ndërsa kur ishte në detyrë në Kosovë, ‘e shihnin si të Shqipërisë’, transmeton Tch.
Nga pozita e ministrit të Infrastrukturës, Planifikimit Hapësinor dhe i Ambientit në Kosovë, Liburn Aliu pati dhënë dorëheqje në gusht 2025, vetëm një ditë pasi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Lajmi në përditësim…
