Bajrami kritikon Kurtin për ekonomi: Kosova mbijeton falë remitancave, ne ‘eksportojmë të rinjtë në Evropë’

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë, përkatësisht kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se Kosova mbijeton falë remitancave dhe se vendi “eksporton të rinjtë në Evropë”, të cilët me pagat e tyre mbajnë konsumimin familjar brenda vendit.
Megjithatë, sipas ish-ministres së Financave, të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë një realitet tjetër ekonomik. Sipas Bajramit, raporti janar-shtatorit 2025, tregon për një deficit të lartë tregtar, i cili sipas saj po thellohet.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deficiti tregtar për janar-shtator 2025 është mbi 4.54 miliardë euro – po thellohet. Deficiti tregtar në shtator të vitit 2025 është rritur për 21.2% në krahasim me shtatorin e vitit 2024. Gjatë shtatorit të këtij viti Kosova ka eksportuar 85.8 milionë euro mallra, ndërsa ka importuar 606.2 milionë euro. Derisa në vitin 2022 eksporti mbulonte importin me 17.7%, janar-shtator 2025 shkalla e mbulueshmërisë së importit me eksport ka rënë në 13.04%. Ky është ”progresi” i Qeverisë Kurti”, ka shkruar Bajrami në Faceebok.
Ajo duke iu referuar këtyre të statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thotë se kjo agjenci funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti në Londër ka thënë se në katër vitet e fundit, rritja ekonomike mesatare e vendit ka qenë rreth 6%, ndërkohë që sipas FMN-së Kosova do të vijojë të jetë e para në rajon edhe këtë vit sa i përket rritjes ekonomike.
