Jeta e kultura shqiptare me mbresa të paharrueshme për seminaristët në Kosovë

Në Prishtinë po mbahet edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, një ngjarje që grumbullon studiues të gjuhës dhe kulturës shqiptare nga e gjithë bota.
Seminari përqendrohet në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, gjuhësore dhe historike të shqiptarëve, si dhe në mësimin e gjuhës shqipe, raporton KosovaPress.
Disa nga seminaristët tregojnë përvojat e tyre, përtej aktiviteteve që ofron seminari.
Maria Morozova ka 14 vjet që është pjesë e seminarit dhe ajo thekson se Prishtina ofron gjithnjë e më shumë aktivitete të larmishme.
“Më pëlqen shumë kuzhina tradicionale këtu dhe në mbrëmje prapë me miq shkojmë në ndonjë festë ose me shoqëri afër konviktit ose diku jashtë në qytet, sepse ka shumë aktivitete në hapësira të hapura. Këto aktivitete më pëlqejnë shumë, më duket se kemi aktivitete shumë të gjalla këtu,” tha Morozova.
Morozova po ashtu ndan përvojën e saj me qytetin e Prishtinës në krahasim me vitet e mëhershme kur ishte pjesë e seminarit.
“Shoh shumë ndryshime dhe gëzohem sepse janë ndryshime për të mirë”, tha ajo.
Gerard Spaans nga Holanda tregon se përveç seminarit, ka gjetur kohë të ndjekë një ndeshje futbolli të ekipit gjilanas Drita.
“Ka qenë bukur të shohësh edhe një aspekt tjetër të jetës në Prishtinë,” tha Spaans.
Seminaristët kanë mundësinë të vizitojnë dhe të njihen edhe me qytetet e tjera të Kosovës. Spaans po ashtu ndan përvojën e tij në qytetin e Pejës.
“Udhëtimi i djeshëm në Pejë ishte shumë i mirë sidomos pasi ka qenë afër maleve dhe më kujtonte Zvicrën, ku unë jetoj për momentin”, ka thënë Spaans.
Pjesëmarrësi tjetër i seminarit Andrin Honegger nënvizoi se qyteti i Prishtinës është i bukur, por janë njerëzit ata që e bëjnë atë të veçantë.
“Qyteti është shumë i bukur të shkosh gjithandej dhe të eksplorosh, por janë njerëzit ata që e bëjnë atë të veçantë”, ka thënë Honegger.
Edhe Alexander Herren shprehet i emocionuar me atmosferën dhe jetën në Kosovë.
“Kjo është pjesë e eksperiencës time, të takoj njerëz që jetojnë në Prishtinë dhe të dëgjoj historitë e tyre,” tha Herren.
Herren thotë se i pëlqen të njihet sa më shumë me jetën dhe kulturën shqiptare.
Seminari i 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare rikujton rëndësinë e këtyre aktiviteteve për promovimin e kulturës dhe gjuhës shqiptare, duke i dhënë mundësi pjesëmarrësve të thellojnë njohuritë dhe të ndërtojnë lidhje ndërkombëtare.
Artikulli i plotë në sistemin me parapagim.



