Mbahet panairi tradicional veror “Ekspos Deçani 2025”

Në ambientet e Qendrës Rinore në Deçan është mbajtur sot panairi tradicional veror “Ekspos Deçani 2025”, një aktivitet që synon promovimin e artit, kulturës dhe biznesit vendor. Aktiviteti nisi me promovimin e librit “Ekspos Deçani” nga autori Sutki Hulaj, derisa vazhdoj me hapjen zyrtare në orën 14:00.
Në ceremoninë hapëse morën pjesë personalitete të ndryshme nga fusha e kulturës, artit, si dhe përfaqësues të komunave dhe bizneseve vendore dhe rajonale.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, në fjalën e tij falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që ishin pjesë e këtij edicioni.
“Dua të falënderoj bizneset e ndryshme, agjencionet, kompanitë që na kanë nderuar në këtë panair veror, po ashtu qytetet, bashkitë, komunat që kanë marrë pjesë në këtë panair, është diçka risi”, ka thënë ai.
Pjesë e aktiviteteve të panairit ishte edhe një ekspozitë e artistit të njohur Nikollë Nikprenaj, i cili përveç që njihet si këngëtar i këngëve shqipe, është edhe një emër i spikatur në fushën e pikturës.
Mërgimtari, Camë Tahiri, në fjalën e tij, vlerësoi kontributin artistik të Nikprenaj dhe bashkëpunimin shumëvjeçar me të.
“Artisti i madh e tha edhe vet, ne kemi një bashkëpunim shumë-vjeçar, por jo në relacion producent dhe artist, por si dy vëllezër. Vërtetë jemi ashtu siç e këndoj edhe ne këngën e tij. Deçani, kjo është më e pakta që mund të bëjë për një artist të vlerave të tilla. Nikoll Nikprenaj, përveç që është këngëtar i madh i këngëve shqipe, është edhe artist i madh i piktores, dhe pikërisht Deçanin e ka nderuar me hapjen e një ekspozite me punimet më të spikatura të tij. Ne si Deçan më e pakta që kemi mundur të bëjmë është të ndajmë një mirënjohje për artistin tonë”, ka thënë ai.
Në panair morën pjesë drejtues të komunës së Deçanit, figura të njohura të jetës kulturore, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qytetarë të shumtë.
