Cristiano Ronaldo ende në Riad pavarësisht raportimeve për largim me avion privat

Lajmet se Cristiano Ronaldo është larguar nga Arabia Saudite pas rritjes së tensioneve në rajon kanë shkaktuar konfuzion të madh, por klubi i Al Nassr ka konfirmuar se ylli portugez është ende në vend.
Megjithëse raportimet nga media si Daily Mail dhe The Sun bënë të ditur se avioni i tij privat prej 81 milionë dollarësh fluturoi nga Riadi drejt Madridit të hënën mbrëma, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se lojtari apo familja e tij ishin në bord.
Ky alarm erdhi pas lajmeve për sulme me dronë ndaj Ambasadës së SHBA-së në Riad, situatë që ka çuar në pezullimin e disa ndeshjeve të Konfederatës Aziatike (AFC), përfshirë çerekfinalen e Al Nassr kundër Al Wasl.
Megjithatë, burimet lokale dhe klubi konfirmojnë se Ronaldo po vijon stërvitjen dhe pritet të luajë këtë të shtunë kundër Neom në kampionatin vendas, i cili për momentin do të vijojë sipas planit.
KosovaPress
