“Ora e Fundit” për trafikantët – Policia e Kosovës sekuestron 20 mijë tableta ekstazi me vlerë rreth 200 mijë Euro

“Ora e Fundit” për trafikantët – Policia e Kosovës sekuestron 20 mijë tableta ekstazi me vlerë rreth 200 mijë Euro

Policia e Kosovës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Ora e Fundit”, duke goditur një rast të rëndë të trafikimit të narkotikëve dhe duke sekuestruar rreth 20 mijë tableta të llojit Ekstazi (MDMA).

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Sektori Qendror, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një pune intensive hetimore që ka zgjatur rreth një muaj.

Më 31 dhjetor 2025, rreth orës 19:00, në magjistralen Podujevë–Prishtinë, në afërsi të fshatit Trudë, njësitet policore kanë ndaluar një veturë me targa vendore, e cila drejtohej nga një mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës.

Gjatë kontrollit policor, bazuar në dyshime të arsyeshme, në veturë janë gjetur dhe sekuestruar rreth 20 mijë tableta narkotike të llojit Ekstazi (MDMA). Hetimet paraprake tregojnë se kjo sasi dyshohet se është futur ilegalisht nga Serbia në territorin e Kosovës, me qëllim të shpërndarjes në tregun e brendshëm.

Si rezultat i veprimeve policore, është arrestuar një person i dyshuar, ndërsa janë sekuestruar prova të shumta materiale, përfshirë shtatë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit Ekstazi (MDMA), si dhe një veturë e tipit Daimler Chrysler E320 CDI, ngjyrë e zezë, me targa vendore.

Po ashtu, është bastisur banesa e të dyshuarit në Prishtinë, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar tri qese najloni të vogla me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Vlera e përafërt e narkotikëve të sekuestruar në tregun e zi vlerësohet rreth 200 mijë euro. Me urdhër të Prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti po trajtohet si vepër penale e trafikimit të narkotikëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë