Kurti në KEK: Tri njësitë e termocentraleve në funksion – ka energji të qëndrueshme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar sot pasdite Korporatën Energjetike të Kosovës, përkatësisht termocentralet Kosova A dhe Kosova B.
Pas vizitës, Kurti në një konferencë për media ka siguruar se ka energji elektrike të qëndrueshme me funksionimin e tri njësive në KEK.
Kurti tha po ashtu se do të ketë modernizim të termocentralit Kosovës B dhe rehabilitim të Kosovës A, dhe kapacitet të shtuar të gjenerimit të energjisë.
“E pamë edhe vetë që janë duke funksionuar tri njësitë e termocentraleve, Kosova A dhe dy të Kosova B… Kjo do të thotë që kemi stabilitet të funksionimit dhe energji të qëndrueshme. Dëshiroj t’i falënderoj bordin menaxhmetin dhe të gjithë punëtorët e KEK-ut për punën e jashtëzakonshme që e bëjnë e cila është në shërbim të qytetarëve dhe të bizneseve, të industrisë, por edhe të sigurisë së përgjithshme të Republikës. Ii përgëzoj për investimet e bëra deri më tani. Zotohemi që do të ketë modernizim të termocentralit Kosovës B dhe rehabilitim të Kosovës A, do të kemi kapacitet të shtuar të gjenerimit të energjisë. Ua urova të gjithë punëtorëve Vitin e Ri dhe si porosi nga punëtorët shpresoj që në këtë natë të ndërrimit të motmoteve më shumë nikoqirë të tregohen ata që kanë në ngrohjen qendrore nga Termokosi, 110 megavat Termokosi i merr nga Kosova B. Është shumë e rëndësishme të theksohet sa shumë furnizohet ngrohja qendrore nga ky vend ku ndodhemi ne tani. Po ashtu u zotuam që do t’i bëjmë investimet me kohë, në vitet 2026 dhe 20207 me ç’rast ka afate të përcaktuara nga bordi dhe drejtoria që gjërat të investohen dhe të përmbyllen para afateve që është në rregull, por jo edhe pas tyre”, tha Kurti.
Ndërsa ministrja në detyrë e Ekonomise, Artane Rizvanolli tha se këtë vit KEK-u ka realizuar investime të mëdha, duke modernizuar turbinën e njësisë B2, që ka rritur kapacitetin për 35 megavat.
Për të njëten investim Rizvanolli tha se pritet të bëhet edhe në Njësinë B1 me vendosjen e filtrave që do të ulë ndotjen e ajrit ndjeshëm.
Deri në fund të mandatit,Rizvanolli tha se pret që KEK të ketë 350 megavatë shtesë.
“Sivjet KEK-u ka realizuar investimin më të madh në katër vitet e fundit duke modernizuar turbinën në B2, dhe investimet të tjera gjë që ka rritur kapacitetin për 35 megavat… Në vitin e ardhshëm pritet i njëjti investim të bëhet edhe në njësinë B1, së bashku me vendosjen e filtrave gjë që do ta ulin ndotjen ndjeshme. Dua të cek që gjatë këtij viti një hap i rëndësishëm ka qenë fillimi i kontraktimit për rehabilitimin e thellë të njësisë A3 në vlerë 137 milionë euro. Qenka edhe një e arritur sivjet, projekti që financohet nga BE dhe që do të ndërtohet park solar me 100 megavat në KEK. Gjatë vitit tjetër presim të nënshkruhet kontrata dhe menjëherë pas asaj të fillojë ndërtimi. Presim që në fund të mandadit të ardhshëm tjetër, KEK të ketë 350 megavatë shtesë”, tha Rizvanolli.
Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani tha se vitin e ardhshëm do të filloj instalimi i elektrofiltrave në njësinë B1, dhe modernizimi i turbinës së saj. Ndësa, shtoi se për njësinë A3, kanë një projekt prej 137 milionë euro nga mjetet vetanake të korporatës.
“Kemi në vitin 2025-2027 projekte mbi vlerë 500 milionë euro që do të investohen në KEK, disa prej tyre kanë përfunduar. Vitin e ardhshëm do të filloj instalimi i elektrofiltrave në njësinë B1 dhe modernizimi i turbinës se saj. Kemi projektin edhe të njësisë A3 prej 137 mulionë euro nga mjete vetanake nga KEK-u”, theksoi Hashani.
Kurse, i pyetur për protestat e punëtorëve të KEK-ut, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se nuk mund të parasheh se çfatë protestash do të ketë në 2026, porse sipas tij, të njëjtit mund t’i drejtohen edhe edhe vet institucioneve përkatëse.
“Për këtë të flas më mire drejtori.. Ata do të mund t’i drejtohen edhe kryeshefit edhe bordit edhe ministrisë dhe mua. Besoj që nuk ka probleme që nuk mund të zgjidhen. Nuk mund ta parashoh se çfarë protestash do të ketë në 2026 e tutje, por besoj që mungon dialogu dhe komunikimi me punëtorë”, tha Kurti.
Sot, gjatë ditës, Kurti ka vizituar edhe dy kompani të tjera publike, Telekomin dhe Postën e Kosovës.
