​“E jetova ëndrrën time”: Nora Gjakova mbyll karrierën si xhudiste

​“E jetova ëndrrën time”: Nora Gjakova mbyll karrierën si xhudiste

Në ditën e fundit të vitit 2025, kampionia olimpike e Kosovës, Nora Gjakova, ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e karrierës së saj si sportiste aktive. Përmes një postimi emocional në Facebook, xhudistja nga Peja bëri të ditur se po mbyll një kapitull që, siç e përshkroi vetë, ka qenë “e gjithë jeta ime deri tash”, duke falënderuar sportin e xhudos për gjithçka që i ka dhënë ndër vite.

Gjakova theksoi se rrugëtimi i saj 23-vjeçar ka qenë i mbushur me sfida, humbje dhe fitore, të cilat e kanë formësuar si sportiste dhe si njeri. “Jam rrit dhe kam marrë frymë me sportin e xhudos dhe jam e lumtur që e kam jetuar ëndrrën time”, u shpreh ajo, duke shtuar se ndihet e përmbushur me arritjet që e renditën ndër sportistet më të suksesshme shqiptare.

Në mesazhin e saj falënderues, Nora Gjakova shprehu mirënjohje të veçantë për familjen, trajnerin Driton Kuka, klubin Ippon të Pejës, si dhe për shtetin e Kosovës, të cilin e përfaqësoi me nder dhe krenari. Ajo falënderoi gjithashtu shqiptarët kudo që janë për përkrahjen ndër vite, duke mbyllur mesazhin me optimizëm për të ardhmen: “Drejt fillimeve dhe ëndrrave të reja… Gëzuar 2026”.

KosovaPress

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë