Kërkohet formim i shpejtë i institucioneve pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Formimi i shpejtë i institucioneve po kërkohet pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Sipas analistëve politikë, Lëvizja Vetëvendosje në bazë të rezultateve preliminare është fituese e qartë e zgjedhjeve, derisa i kërkohet partive të ish-opozitës, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së të reflektojnë dhe të ndryshojnë strategjinë e tyre politike.
Në bazë të rezultatit të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 49,34 për qind apo 433 mijë e 394 vota, PDK ka fituar 20,98 për qind apo 184 mijë e 318 vota, LDK 13,57 për qind apo 119 mijë e 201 vota, AAK 5,66 për qind apo 49 mijë e 698 vota. Në rezultatet preliminare nuk janë të përfshira votat nga diaspora dhe votat me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.
Në bazë të këtij rezultati, LVV do t’i ketë 56 deputetë, PDK 23 deputetë, LDK 15 deputetë, AAK 6 deputetë, si dhe komunitetet joshumicë 20 deputetë.
Analisti politik, Dorajet Imeri, thotë për KosovaPress se LVV-ja ka një rezultat të favorshëm dhe se me minoritetet joserbe do të ketë një shumicë të qëndrueshme në Kuvend për ta formuar qeverinë e ardhshme.
“Zgjedhjet që sapo u mbajtën kanë krijuar një rezultat vërtet të favorshëm për Lëvizjen Vetëvendosje. Ky subjekt politik tashmë ka në kuadrin e saj një numër minimalisht prej 56 deputetëve, ndërkaq shtuar këtu edhe minoritarët do të jetë e mjaftueshme për të formuar një shumicë solide në Kuvend. Unë pres që shumë shpejt të konstituohen institucionet e reja sepse në momentin që bëhet certifikimi i rezultateve gjithçka do të jetë e qartë, e mundshme dhe shpejt e realizueshme”, thotë ai.
Në anën tjetër, profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se në bazë të rezultatit zgjedhor nuk ka asnjë arsye për vonesa apo bllokada politike në këtë fazë.
Sipas tij, posa të certifikohen rezultatet duhet të thirret seanca konstituive e legjislaturës së dhjetë dhe të formohet qeveria.
“Meqë e ka mundësinë që të mos ketë paraliza dhe bllokada nga askush për formimin e institucioneve, këtë punë ta bëjë me urgjencë maksimale, duke respektuar afatet ligjore. Të jemi në gjendje që t’i përgjigjemi dhe përballemi kërkesave për miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, por edhe miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”, thekson ai.
Duke folur për rezultatin e partive të ish-opozitës, Baraliu thotë se të njëjtat janë humbëse të zgjedhjeve, andaj duhet të reflektojnë seriozisht duke ndryshuar kursin dhe strategjinë politike.
“Absolutisht humbëse. Do të duhej të reflektonin seriozisht dhe duhet të ndryshonin kursin strategjik e taktik”, shton Baraliu.
Aktualisht, KQZ-ja është duke numëruar votat e kandidatëve për deputetë. Pas përfundimit të kësaj, KQZ do të numërojë votat me kusht, të personave me aftësi të kufizuara dhe votat e diasporës. Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit u mbajtën për shkak të krizës politike dhjetëmujore gjatë vitit 2025, ku nuk u formuan institucionet pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
