ZRrE-ja përcakton çmimet e ngrohjes në Prishtinë dhe Gjakovë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka përcaktuar tarifat e reja të ngrohjes për konsumatorët e ndërmarrjeve publike në Prishtinë dhe Gjakovë për sezonin e ngrohjes 2025/2026. Në mbledhjen e sotme, ZRrE mori vendim që të ketë zbritje të tarifave për katër për qind të Termokosit në Prishtinë, kurse pesë për qind të ndërmarrjes publike në Gjakovë.
Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tha se zbritja në këto ndërmarrje publike vlen vetëm për konsumatorët që faturohen me matje. Sipas tij, zbritja është për shkak të kursimit që ka ndodhur sezonin e kaluar.
“Në propozimin e këtij viti, të hyrat e lejuara maksimale për NQ Gjakova dhe NQ Termokosi do të rezultojnë: për Termokos kemi zbritje të tarifave për rreth 4 për qind, kurse për NQ Gjakova për 5 për qind. Kjo duhet të theksohet se është vetëm për konsumatorët me matje, pasi kemi konsideruar se ka pasur kursim te kjo kategori e konsumatorëve dhe si rezultat i këtij kursimi është reflektuar edhe në tarifat e këtyre dy ndërmarrjeve për vitin 2025–2026. I bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve se ZRrE-ja, nëse ka kursime në sektor, ato do të reflektohen gjithmonë në vitin pasues”, tha ai.
Gjatë mbledhjes, Astrit Haraqini tha se tarifa për konsumatorët në kryeqytet do të jetë 0.73 cent për muaj për konsumatorët me matje, kurse për konsumatorët që tarifohen në bazë të metrit katror do të jetë 0.76 cent në muaj.
Astrit Saraqini nga ZRrE tha se në bazë të planifikimit të Termokosit, 70 për qind e sipërfaqes ngrohëse planifikohet të faturohet me matje në Prishtinë.
“Për këtë sezon, planifikimet e ngrohtores së qytetit të Termokosit janë që 70 për qind e sipërfaqes ngrohëse të faturohet me matje. Edhe vitin e kaluar e ka pasur, por ka qenë më i vogël dhe pas disa përmirësimeve dhe faturimit sa më të drejtë, rreth 70 për qind e sipërfaqes ngrohëse planifikohet të faturohet me matje. Kjo ka ndryshuar pak alokimin e të hyrave të lejuara, ku ne zakonisht i alokojmë për konsumatorët që faturohen me matje dhe konsumatorët që faturohen pa matje me metra katrorë. Alokimi bëhet sipas energjisë së parashikuar që ata do të konsumojnë. Alokimi është 7 milionë e 834 mijë që shkojnë për tarifat me matje, ndërsa 3 milionë e 628 mijë për tarifat pa matje me sipërfaqe ngrohëse. Tarifa me matje për konsumatorët e sasisë së energjisë së furnizuar është 33.65, ndërsa komponenta fikse për kapacitet është 0.73 euro për kilovat për muaj. Tarifat pa matje sipas sipërfaqes ngrohëse janë 0.76 euro për metër katror dhe 0.95 euro për metra katrorë për konsumatorët komercialë”, tha ai.
Kurse tarifa mujore e ngrohjes për qytetarët e Gjakovës do të jetë 72 centë për kilovat në muaj.
