Tronditet bota e sportit, vdes presidenti i ICMG – mik i madh i Kosovës

Komuniteti sportiv ndërkombëtar është tronditur nga ndarja nga jeta e Davide Tizzano, President i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Lajmin e ka bërë të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës përmes një telegrami ngushëllimi, duke e cilësuar Tizzanon si një mik të çmuar të Kosovës dhe një udhëheqës me vizion. “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Davide Tizzano”, thuhet në mesazhin e presidentit të KOK-ut, Ismet Krasniqi.
Në mesazhin e tij, Krasniqi ka theksuar se Tizzano ishte një mbështetës i palëkundur i sportit dhe i vlerave olimpike, ndërsa kontributi i tij për Kosovën, sidomos në procesin e marrjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare, do të mbetet i paharruar.
Sipas tij, “trashëgimia e tij njerëzore dhe sportive do të jetojë gjatë dhe do të shërbejë si frymëzim për brezat e ardhshëm”.
Davide Tizzano ishte edhe një sportist i jashtëzakonshëm, kampion i dyfishtë olimpik në rowing, 17-herë kampion kombëtar i Italisë në rowing dhe në lundrim. Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Tizzano, bashkëpunëtorët dhe gjithë familjen e Lojërave Mesdhetare.
