Stavileci: Sinjale pozitive nga terreni, mbështetje e fuqishme për ndryshim

Anëtari i Kryesisë së PDK, Blerand Stavileci ka deklaruar se dita e votimit po shkon drejt një rezultati shumë të rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se nga terreni po marrin sinjale pozitive dhe mbështetje të fuqishme për ndryshim.
Në një deklarim për media, më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, Stavileci ka thënë se kjo është një ditë e veçantë për demokracinë dhe të ardhmen e vendit, pasi qytetarët po vendosin me votë për drejtimin që duan t’i japin Kosovës.
“Sot është një ditë e veçantë për demokracinë tonë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Sot qytetarët e Kosovës po vendosin me votë që për drejtimin që duan t’i japin shtetit. Për mënyrën se si duan të jetojnë nesër dhe për shpresën që duan t’u japin fëmijëve të tyre. Deri në këto momente, më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, të dhënat që po marrin nga terreni janë pozitive. Po na vinë mesazhe të qarta, ka mbështetje të fuqishme për ndryshim, me bindje të plotë për zhvillim dhe për një jetesë më të mirë për secilin qytetar të Kosovës. Sipas të dhënave të deritanishme, kjo ditë po shkon drejt një rezultati shumë të rëndësishëm për PDK-në, drejt një niveli mbështetjeje dhe një numri votash që për ne janë historike. Prandaj, ftesa jonë është e sinqertë dh e drejtpërdrejt”, ka deklaruar ai.
Stavileci u ka bërë thirrje qytetarëve që ende nuk kanë votuar që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.
Ai ka shtuar se PDK beson në një Kosovë me më shumë stabilitet politik, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie dhe më shumë shpresë për të rinjtë.
“Nëse ende nuk keni votuar, mos e leni votën në shtëpi, mos e leni vendin për të tjerët. Sot secili nga ne e ka në dorë një përgjegjësi të madhe, dhe ju që ende nuk keni votuar dilni dhe votoni. Secila votë ka peshë. Nga një votë e secilit prej nesh ndërtohet një e ardhme për të gjithë, sepse, sot nuk është dita për të pritur, është dita për të vendosur. Ne besojmë se Kosova mundet dhe duhet të bëjë më mirë. Mund të ketë më shumë stabilitet politik, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie dhe më shumë shpresë për të rinjtë që sot po vendosin për të ardhmen e tyre”, ka shtuar ai.
Sipas KQZ-së, numri i votuesve që kanë votuar deri në orën 18: 24 është 770. 751.
