DnV: Ka një interesim në rritje të qytetarëve për të votuar

Demokracia në Veprim ka mbajtur konferencën e radhës për procesin e sotëm zgjedhor. Sipas DnV-së, orët e fundit ka një interesim në rritje të qytetarëve për të votuar.
Derisa kanë mbetur më pak se një orë deri në mbylljen e qendrave të votimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Eugen Cakolli tha se deri në orën 17:00 kanë dalë 38.9 për qind e votuesve.
“Tashmë kur kanë kaluar dhjetë orë që nga fillimi i procesit të votimit, vëzhguesit tanë po raportojnë për një interesim në rritje të qytetarëve për të votuar, ngjashëm sikurse në proceset e kaluara zgjedhore. Dalja në votime deri në orën 17:00, sipas vëzhguesve të DnV-së, raportohet të jetë 38.9 për qind në nivel vendi. Sa për krahasim me zgjedhjet e 9 shkurtit, dalja në votime në intervalin e njëjtë kohor ishte identike me 39 për qind. Rajonet me daljen më të madhe në zgjedhje mbesin të njëjtat, ku prijnë komunat me shumicë serbe, veçanërisht ato në veri. Pasuar nga rajoni i Prishtinës, ku dalja është 43 për qind apo 5 për qind më shumë sesa në nivel vendi. Në anën tjetër, në komunat e tjera ka dalje të njëjtë apo pak më të ulët sesa në nivel vendi”, tha ai.
Ndër fenomenet në lidhje me parregullsitë e procesit zgjedhor, Cakolli tha se ka pasur raste kur votuesit nuk kanë gjetur emrin e tyre në listat e vendvotimit, fotografimi i votës, votimi me asistencë dhe ndërprerja e përkohshme e energjisë elektrike në disa komuna.
“Mbi 70 për qind e vendvotimeve ka raste kur votuesit nuk kanë arritur të gjejnë emrin e tyre në listë, përkatësisht kanë shkuar në vendvotimin e gabuar. Madje, në 15 për qind të vendvotimeve në nivel vendi, ky fenomen është i shprehur deri në 30 raste brenda vendvotimit, gjë që tregon një trend rritjeje. Sa i përket votimit me asistencë, trendi tregon se është i njëjtë sikurse në pjesën e parë të ditës. Ajo çka vërehet është se ka një përhapje të numrit të vendvotimeve kur kjo formë është më e shprehur. Fotografimi dhe bërja publike e votës, që ndërlidhet me rastet e blerjes, frikësimit apo shtrembërimit të vullnetit të qytetarëve, janë raportuar në gjithsej 21 raste”, theksoi ai.
Sipas KQZ-së, numri i votuesve që kanë votuar deri në orën 18: 24 është 770. 751.
