Radoniqi: Procesi i votimit nuk ndërpritet pavarësisht nëse ndalet energjia elektrike

Radoniqi: Procesi i votimit nuk ndërpritet pavarësisht nëse ndalet energjia elektrike

Procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha komunat pa ndonjë problem që do të ndikonte në mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor, tha kryesuesi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi.

Ai tha se deri në orën 15:00 janë raportuar disa probleme të tjera me mungesën e energjisë elektrike në komunën e Skenderajt, Malishevës, Novobërdës dhe Obiliqit.

Megjithatë, ai tha se për të gjitha rastet është njoftuar KEDS-i dhe të njëjtit kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për rikthimin e energjisë elektrike, brenda një kohe të shpejtë.

“Duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha komunat e vendit. Deri në këtë fazë, procesi i votimit po zhvillohet pa ndonjë problem që do të ndikonte në mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor. Në Dhomën Operative të KQZ-së jemi duke pranuar raportime të ndryshme nga Qendrat e Votimit lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor. Sipas raportit të orës 15:00, në Dhomën Operative të KQZ-së janë raportuar disa probleme të tjera me mungesë të energjisë elektrike në tri qendra votimi në komunën e Skënderajt, dy në komunën e Malishevës dhe dy qendra të tjera në Novobërdë dhe Obiliq. Për të gjitha këto raste është njoftuar KEDS-i për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për rikthimin e energjisë elektrike dhe, sipas informacioneve, kjo ka ndodhur brenda një kohe të shpejtë”, tha ai.

Sipas tij, procesi i votimit nuk mund të ndërpritet pavarësisht nëse ndalet energjia elektrike sapo të bjerë terri.

Ai tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me KEDS-in dhe shpresojnë që nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

“Ndërprerjet e energjisë elektrike nuk janë të gjata. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me KEDS-in për çdo ndërprerje të energjisë në cilindo vend. Po shpresojmë që nuk do të kemi ndërprerje të energjisë elektrike prej orëve kur fillon të bjerë terri, por mbetet të shohim. Integritetin e zgjedhjeve jo domosdoshmërisht mund ta cenojë energjia elektrike. Procesi i votimit nuk do të ndërpritet. Procesi i votimit, sipas ligjit, ka 12 orë dhe nuk do të ndërpritet. Ne do të sigurojmë se nuk do t’i lejojmë të votojnë në terr, por procesi nuk do të ndërpritet”, shtoi ai.

Duke folur për daljen në votim deri në orën 15:00, ai tha se deri në këtë periudhë kanë votuar 572 mijë e 723 votues apo 28.97% nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, sipas të dhënave nga rreth 91% e vendvotimeve, kishin votuar 28.32% apo 558,246 votues.

“Po ashtu, duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga mbi 97% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 572 mijë e 723 votues apo 28.97% nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, sipas të dhënave nga rreth 91% e vendvotimeve, kishin votuar 28.32% apo 558,246 votues nga 1 milionë e 970 mijë e 944 votues”, theksoi Radoniqi.

Sa i përket thyerjes së heshtjes zgjedhore nga Lista Serbe, Radoniqi tha se kompetente për këtë është PZAP-i, derisa për çështje të tjera janë në komunikim me prokurorinë dhe policinë.

“Ne i kemi informacionet dhe vazhdimisht jemi në komunikim me prokurorinë dhe policinë. Për çështjet që hyjnë në domenin e çështjeve penale, prokuroria dhe policia ndërmarrin hapa hetimorë. Ndërkaq, sa i përket thyerjes së heshtjes zgjedhore, kompetencë për të vendosur për këtë është PZAP-i. Ne jemi të njoftuar, por në lidhje me heshtjen zgjedhore nuk kemi ndonjë kompetencë tani për tani”, deklaroi ai.

Radoniqi foli edhe për procesimin e të dhënave në uebin e KQZ-së, ku tha se të njëjtat do të dalin sapo të pranohen nga ky institucion, përfshirë edhe në katër komunat në veri të vendit.

“Nuk më kanë njoftuar për këtë, por do të procesohen të gjitha. Ndoshta ka mbetur diçka me vonesë për t’u dërguar të dhënat, por të gjitha do të kompletohen. Nuk do të ketë asnjë raportim pa u pranuar nga KQZ-ja. Nëse jo tash, në orët në vijim të gjitha do të plotësohen”, përfundoi ai.

Konferenca e radhës e KQZ-së mbahet në orën 19:30, në të cilën është planifikuar të paraqitet pjesëmarrja në votime deri në orën 19:00 dhe përfundimi i procesit të votimit./KosovaPress/

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë