Jakup Nura përkujton aksionin më të suksesshëm të UÇK-së në pranverën e vitit 1993

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së me numër 11, Jakup Nura, ka përkujtuar aksionin më të suksesshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenas kundër forcave pushtuese serbe në pranverën e vitit 1993.
Ai në një video-mesazh ka evokuar kujtime nga vendi ku asokohe ishin pozicionuar pjesëtarët e UÇK përballë forcave pushtuese.
“Në këtë vend u pozicionuan ushtarët e ushtrisë çlirimtare duke filluar nga Rafet Rama, Adem Nura, Ilaz Kodra e Sami Lushtaku. Unë isha duke i udhëzuar shokët që të mos shtien derisa të shkrep arma ime. Në pritje të forcave pushtuese nën zë i thura disa fjalë duke filluar me Jusuf Gërvallën, Bardhoshit, Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Fahri Fazliut e Afrim Zhitisë. Për gjakun e këtyre djemve që i keni vrarë këtu, pritni plumbat tanë dhe nuk do t’i ndalim deri në çlirimin e Kosovës”, ka thënë Nura.
