Karateja kosovare mbyll vitin e jashtëzakonshëm, Selmani dhe Mustafa sportistët e vitit 2025

Federata e Karatesë e Kosovës ka mbajtur të premten ceremoninë e Laureatëve 2025, ku u vlerësuan arritjet, përkushtimi dhe kontributi i jashtëzakonshëm i sportistëve, trajnerëve dhe bashkëpunëtorëve në zhvillimin e karatesë në vend.
Titulli Sportisti i Vitit iu nda Islam Selmanit, ndërsa Sportistja e Vitit u shpall Behije Mustafa. Me çmimin Trajneri i Vitit u nderua Isak Curri, kurse Punëtor Sportiv i Vitit u vlerësua Leutrim Pepaj. Çmimi Gjyqtari i Vitit iu nda Besart Vitia, ndërsa si Klubi më i suksesshëm i vitit 2025 u shpall K.K. Sharri nga Ferizaj.
FKK ndau gjithashtu Çmim Special për ekipin e vajzave në garat ekipore, të cilat fituan medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për Seniorë. Ky vlerësim iu dedikua Fortesa Oranës, Behije Mustafës, Vlere Qerimit dhe Elmedina Istogut për suksesin dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës.
Kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Besart Baruti, theksoi se ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm për karatenë kosovare me rezultate në të gjitha nivelet e deri te medalja botërore.
“Ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm për karatenë kosovare me rezultate në të gjitha nivelet e deri te medalja botërore. Ne do të punojmë me përkushtim për ta çuar karatenë edhe në nivelet më të larta. Iu falënderoj të gjithë për kontributin dhe iu uroj suksese edhe më të mëdha”, theksoi Baruti.
Për sukseset e arritura gjatë vitit 2025, karateistët e Kosovës morën një lajm të mirë nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.
“Karatenë e kam në zemër dhe e kam të veçantë dhe për këtë arsye dua të iu jap një lajm se Komiteti Olimpik i Kosovës së bashku me bordin e vet ka themeluar një komision të veçantë që për Laureatët e Vitit të Komitetit Olimpik të Kosovës të hyjnë edhe sportet jo olimpike, në veçanti karateja”, deklaroi Krasniqi.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryetari i Federatës së Karatesë së Shqipërisë, Petrit Baba i cili tha se ndihet tejet i emocionuar çdo herë që vie në Kosovë.
“Ndihem gjithmonë i emocionuar sa herë që vijë në Kosovë sepse me gjithë këtë prani dhe me gjithë këtë ngrohtësi këtu në tokën e dardanëve gjithmonë ke emocione”, u shpreh Baba
Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sportit të karatesë, federata ndau falënderime për bashkëpunëtorët, në mesin e të cila edhe Agjencinë e Lajmeve KosovaPress për mbulim medial të aktiviteteve vendore dhe ndërkombëtare.
Ceremonia u nderua me praninë e personaliteteve të shquara të sportit, përfshirë Ismet Krasniqi, President i Komitetit Olimpik të Kosovës, Petrit Baba, President i Federatës Shqiptare të Karatesë, Milaim Kelmendi, Nënpresident i Komitetit Olimpik të Kosovës, si dhe Faton Pacarada nga Vlera Sport, së bashku me shumë miq dhe dashamirë të karatesë.
Federata e Karatesë e Kosovës ndau po ashtu mirënjohje për garuesit më të dalluar në të gjitha kategoritë, nga U7–U14, Kadetë, Juniorë dhe Seniorë, si dhe për bashkëpunëtorët dhe mysafirët që e nderuan këtë ngjarje të veçantë me pjesëmarrjen e tyre.
