FEFS dhe KosovaPress hapin rrugë të reja për studentët e sportit

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit ka zhvilluar takim me përfaqësues të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, me fokus krijimin e mundësive konkrete për përfshirjen e studentëve në punë praktike dhe projekte profesionale në fushën e sportit. Nga KosovaPress në takim morën pjesë Drejtoresha e Përgjithshme Suzana Rakovica, Zëvendësdrejtoresha Merita Gashi dhe Koordinatorja e Projekteve Ardiana Bytyqi.
Gjatë diskutimeve u theksua angazhimi i studentëve të FEFS-it në sektorin sportiv të KosovaPress, me synim promovimin e aktiviteteve sportive dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen. Po ashtu, u trajtuan edhe programet e mundshme bashkëpunuese në fushën e gazetarisë sportive, të cilat do t’u krijonin studentëve hapësira të reja për zhvillim profesional dhe praktik.
Ky takim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke lidhur më ngushtë arsimin universitar me median dhe tregun e punës, në funksion të avancimit të cilësisë akademike dhe përgatitjes profesionale të studentëve.

