IKD: Asnjë parti politike nuk ofron qasje gjithëpërfshirëse për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit

IKD: Asnjë parti politike nuk ofron qasje gjithëpërfshirëse për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin “Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit në programet e partive politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit”.

Në bazë të këtij raporti, sipas IKD-së, asnjë nga programet politike të LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, nuk ofron një qasje gjithëpërfshirëse, të strukturuar dhe të matshme për avancimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit.

Sipas IKD-së, vlerësimi është realizuar përmes 10 indikatorëve, të ndarë në dy shtylla kryesore që lidhen me qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Përkatësisht, në qeverisjen e mirë është vlerësuar barazia gjinore, transparenca dhe llogaridhënia, depolitizimi i administratës publike, digjitalizimi dhe pavarësia e mediave. Ndërsa, pesë indikatorët që ndërlidhen me sundimin e ligjit janë reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, integriteti në fushën e prokurimit publik, vetingu në drejtësi dhe të drejtat e njeriut.

Hulumtuesi në IKD, Gëzim Shala, në konferencë për media të martën tha se bazuar në këta indikatorë dhe në poentimin e përgjithshëm prej 50 pikësh, AAK-ja renditet e para me 13 pikë, pasuar nga LDK me 11 pikë, Lëvizja Vetëvendosje me 9 pikë, ndërsa PDK renditet e fundit me 6 pikë. Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate nuk është poentuar fare, pasi e njëjta s’ka publikuar program qeverisës.

Sipas tij, në fushën e sundimit të ligjit, programet e partive politike nuk ofrojnë vizione të qarta për reformën në sistemin e drejtësisë. Madje, ai thotë se vetingu në sistemin e drejtësisë nuk përmendet nga asnjëra prej katër programeve të partive politike, ndonëse ka pasur një diskutim të madh për këtë çështje.

Duke u bazuar në këtë raport, drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se partitë politike po përdorin këtë strategji për t’iu ikur përgjegjësisë.

“Si duket, kjo është edhe strategji e partive politike për t’iu ikur përgjegjësisë. Ne nesër, nëse duam ta masim punën e tyre, nëse këto parti politike vijnë në pushtet, atëherë nuk mund ta bëjmë këtë bazuar në programet politike, sepse këto obligime nuk janë të përfshira në to. Ne duhet ta masim punën e tyre me atë çka kanë deklaruar në debate televizive dhe çka kanë premtuar në fushatë politike. Për parti politike serioze që aspirojnë të udhëheqin një shtet, në asnjë rrethanë programi politik nuk duhet të jetë kaq i dobët”, theksoi Miftaraj.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 28 dhjetor. Aktualisht, partitë politike janë në ditën e shtatë të fushatës zgjedhore./KosovaPress/

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë