Akreditohet grupi i katërt i vëzhguesve për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar edhe grupin e katërt me mbi 18 mijë vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se nesër pritet edhe akreditimi i grupit të fundit.
“Sot gjithsejtë në grupin e katërt përfshihen 41 organizata me numër total të vëzhguesve që u akredituan 18 mijë e 233. Ka mbetur edhe grupi i fundit, diku janë nëntë organizata që zyra është duke i trajtuar dokumentacionet tona, por besoj që në mbledhjen e radhës që mund të mbahet nesër do të jenë të gatshme edhe rekomandimet e zyrës”, ka thënë ai.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër akreditimit të vëzhguesve të Listës Serbe.
Gjatë shqyrtimit të procedurës së Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshani ka thënë se numërimi i votave me postë duhet të bëhet në bazë të shteteve prej nga votojnë qytetarët e Kosovës.
“Konsideroj që duke qenë një zonë zgjedhore, numërimi i votave me postë duhet të bëhet në bazë të shteteve prej nga votojnë qytetarët e Kosovës dhe jo në bazë të komunave të Kosovës”, ka thënë Elshani.
Por, një gjë e tillë tha se është e pamundur Besnik Buzhala, i cili është drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.
Megjithatë, Elshani shtoi se kjo do të ndihmonte që të evidentohen edhe tendencat për manipulim të rezultatit.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi e ka hedhur në votim këtë procedurë ashtu siç ka qenë, meqë tha se sekretariati nuk mund ta bëjë ndryshimet e platformës.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka miratuar edhe planin e konferencave për informimin e publikut mbi ecurinë e procesit të votimit, si për votimin në përfaqësitë diplomatike më 27 dhjetor 2025, ashtu edhe për ditën e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës më 28 dhjetor 2025. /Sh.Pajaziti
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…
