Kërkohet angazhim më i madh për pjesëmarrjen e grave në proceset zgjedhore

Nga 1180 kandidatë për deputetë që ka certifikuar Komisioni Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 28 dhjetorit, 789 apo 66.86 për qind janë burra, ndërkaq 391 apo 33.13 për qind janë gra.
Këtë e bëri të ditur kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në diskutimin që misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Ambasada e Francës, organizuan të hënën për pjesëmarrjen e grave në proceset zgjedhore.
Radoniqi tha se fuqizimi i rolit të grave në jetën demokratike është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit institucional dhe shoqëror.
Angazhim më të madh në fuqizimin e grave në institucione kërkuan edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, dhe kryesuesi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk.
Diplomati francez tha se të gjitha veprimet që ndërlidhen me sigurinë, arsimin, shëndetësinë dhe politikën duhet të kenë fokus perspektivën gjinore për të fuqizuar rolin e grave.
Ndërkaq, ambasadori McGurk pati një porosi për partitë politike që të jenë llogaridhënëse sa i përket politikave gjithëpërfshirëse gjinore.
Pjesë e diskutimit ishte edhe drejtoresha e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK), Igballe Rugova, e cila tha se gratë janë të shumta, të afta dhe të forta në politikë, mirëpo një pjesë e tyre anashkalohen nga liderët partiakë.
Mes tjerash u tha se në kontekst të zgjedhjeve, barazia gjinore është parakusht për demokraci funksionale, pasi pjesëmarrja e grave e rrit besueshmërinë në procesin zgjedhor dhe forcon legjitimitetin e institucioneve që dalin nga zgjedhjet./KosovaPress/
