Sa janë të realizueshme zotimet e partive në fushatë?

Sa janë të realizueshme zotimet e partive në fushatë?

Premtimet për rritje të pagave janë shndërruar në një nga temat kryesore të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, por sipas njohësve politikë, ato po mbeten kryesisht megalomane dhe të pambështetura në analiza reale ekonomike. LVV, PDK, LDK dhe AAK, ndër premtimet kryesore të paraqitura në këtë fillim të fushatës, kanë pagën e trembëdhjetë, rritjen e pagës për 50 për qind në sektorin publik, dyfishimin e pensioneve dhe rritjen e pagës minimale. Mirëpo, sipas njohësve, këto premtime po përdoren si mjet për të tërhequr vëmendjen e votuesve, pa pasur një plan të qartë se si këto zotime do të realizohen.

Hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Arbëreshë Loxha, thotë për KosovaPress, se partitë politike nuk po prezantojnë programe të mirëfillta që paraqesin perspektivë të qartë zhvillimore dhe të mirëmenaxhuar.

Sipas saj, qytetarët më shumë po votojnë për bartës të listës zgjedhore dhe jo kushtimisht për një plan të qartë politik.

“Në përgjithësi partitë politike nuk është se kanë prezantuar programe të mirëfillta, nëse mund të them, për faktin se nuk kanë prezantuar një perspektivë të qartë zhvillimore dhe të mirëmenaxhuar. Por në përgjithësi kanë qenë me premtime të cilat kanë qenë sporadike në fusha të ndryshme, pa një ndërlidhje të qartë. Po ashtu, premtime kryesisht megalomane, të cilat në përgjithësi qytetarët kanë dashur t’i dëgjojnë. Kryesisht është votuar për bartës të listës, njerëz të rëndësishëm në parti, por jo kushtimisht për një plan të qartë politik”, thotë ajo.

Në anën tjetër, analisti politik Avni Arifi thotë për KosovaPress, se në këtë parafushatë PDK dhe LDK e kanë orientuar kauzën e tyre më shumë në çështje ekonomike, kurse sipas tij, AAK-ja është fokusuar në çështje të sigurisë.

Megjithëse në Lëvizjen Vetëvendosje kanë prezantuar programin qeverisës, ku mes tjerash zotohet për investime në siguri në vlerë 1 miliard euro, ngritje të pagës mesatare në sektorin publik në 1 mijë euro, rritje të pensioneve dhe pagës minimale, Arifi thekson se për LVV-në më shumë votohet për liderin, Albin Kurtin.

Ndërkaq, Loxha nga GLSP thotë se edhe premtimet për rritje të pagave nuk janë mirë të llogaritura në kuptimin e impaktit buxhetor dhe ekonomik.

Sipas saj, edhe në të kaluarën rritjet e pagave nuk kanë qenë domosdoshmërisht në përputhje me trendin e zhvillimit ekonomik të vendit apo me kriteret që Kosova duhet t’i plotësojë në kuadër të obligimeve ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjet me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit po merr pjesë edhe Nisma Socialdemokrate. Në bazë të deklaratave publike të tyre, fokusi i tyre është kalimi i pragut zgjedhor dhe bashkimi me Grupin Parlamentar të PDK-së në legjislaturën e ardhshme.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 28 dhjetor.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë