Rritja e pagës minimale, zgjidhje e vonuar apo vendim i nxituar?

Rritja e pagës minimale, zgjidhje e vonuar apo vendim i nxituar?

Për herë të parë në shtetin e Kosovës, tri vjet pas pavarësisë, u miratua një ligj që përcaktonte pagën minimale. Atëherë, u krijuan dy nivele, nën moshën 35 vjeç, paga ishte 130 euro, ndërsa mbi këtë moshë u caktua si pagë minimale shuma prej 170 eurosh.

Kjo çështje nuk u prek për më shumë se një dekadë. Në korrik 2023, Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj të ri për pagën minimale e ngriti në 350 euro.

Tash, pas gati dy vite e gjysmë, i njëjti kryeministër por kësaj radhe në detyrë, Albin Kurti mori një vendim tjetër; që paga minimale të rritet në dy faza, nga 1 janari të rritet në 425 euro, kurse nga 1 korriku në 500 euro.

https://www.facebook.com/photo/?fbid=1407924967367893&set=a.469157147911351

Këtë vendim, qytetarët po e mirëpresin.

Megjithatë, bizneset dhe ekspertët e ekonomisë e kritikojnë vendimin, duke e cilësuar si të nxituar dhe pa konsultime të mjaftueshme. Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, e sheh këtë rritje si një vendim politik në prag të zgjedhjeve, duke theksuar se qeveria në detyrë nuk ka legjitimitet të plotë për vendime të tilla afatgjata.

Ekspertët paralajmërojnë edhe për rreziqe të tjera. Ekonomisti Naim Huruglica thotë se rritja mund të shtyjë disa biznese drejt informalitetit, duke mos deklaruar pagat e punëtorëve.

Pronari i InfoTech Corporation L.L.C, Nazif Zylfiu, shprehet i shqetësuar për rritjen e pagës minimale.

Zylfiu thotë se vendimi për pagën minimale është marrë pa analizë të detajuar të kushteve të biznesit privat. Ai thekson se disa kompani nuk mund ta përballojnë këtë rritje, duke pasur parasysh qarkullimin financiar dhe kapacitetet e tjera operative.

Por, ndryshe nga bizneset, përfaqësuesit e punëtorëve të sektorit privat mendojnë që kjo rritje do të duhej të ishte edhe më e madhe. Kryetari i Sindikatës se Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se paga minimale e propozuar nuk e përballon koston reale të jetesës.

Vendimi për rritje të pagës minimale sipas kryeministrit, prek rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë