Rivendosja e marzhës së fitimit, OEK: Ndërhyrja në çmimet e karburanteve cenon tregun e lirë

Rivendosja e marzhës së fitimit, OEK: Ndërhyrja në çmimet e karburanteve cenon tregun e lirë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vendosjen e marzhave maksimale për produktet e naftës. Sipas OEK-ut, ky vendim ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë në tregun e lirë dhe cenon parimet e konkurrencës së drejtë.

“Vendosja e kufijve të çmimeve për karburantet nuk është në përputhje me parimet e ekonomisë së tregut të lirë dhe rrezikon të çrregullojë funksionimin normal të tregut, duke kufizuar lirinë e operatorëve ekonomikë”, thuhet në reagimin e OEK.

OEK thekson se çmimet e karburanteve përcaktohen nga një kombinim faktorësh ndërkombëtarë dhe lokalë, duke përfshirë luhatjet e çmimeve në tregjet globale, kostot e transportit, zinxhirët e furnizimit dhe zhvillimet gjeopolitike. Masa të tilla administrative nuk reflektojnë këto realitete dhe mund të ndikojnë negativisht në furnizimin dhe konkurrencën.

Gjithashtu, OEK vë në pah se vendimi është marr nga një qeveri në detyrë, e cila ka mandat të kufizuar ligjor dhe institucional. Praktika dhe vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës tregojnë se vendime me ndikim të gjerë ekonomik duhet të merren nga qeveritë me mandat të plotë dhe legjitimitet të plotë parlamentar.

Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë mekanizma alternative për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë, pa ndërhyrje direkte në çmime.

OEK mbetet e përkushtuar për të mbështetur një treg të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues, duke ofruar gjithashtu dialog konstruktiv me institucionet për të gjetur zgjidhje që mbrojnë konsumatorët dhe bizneset njëkohësisht.

Ndërsa, marzha tregtare maksimale është përcaktuar për shitje me shumicë deri në 2 eurocent për litër dhe shitja me pakicë deri në 12 eurocent për litër.

Rozeta Hajdari, ministre në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka thwnw se vendimi për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në tregun vendor.

Ky vendim hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, që parashihet mbikëqyrje e shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore.

https://kosovapress.com/vendoset-masa-mbrojtese-per-cmimet-e-naftes-kufizohen-marzhat-e-fitimit

Sipas Shoqatës së Naftëtarëve, sot çmimet e derivateve në Kosovë sillen prej 1 euro e 15 centë deri 1 euro e 28 centë për një litër naftë dhe për një litër benzinë 1 euro e 16 centë deri 1 euro e 27 centë.

Kujtojmë se masa të ngjashme të parafundit ishin vendosur më 24 qershor 2025 dhe para kësaj më 7 prill të këtij viti. Po ashtu masat e para mbrojtëse dhe kufizime të marzhave ishin vendosur në vitin 2022.

Këto kufizime ishin të vlefshme për periudha të caktuara, shpesh për 30 ditë.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë